Letër banorëve të Komunës së Tearcës

Shkruan: Kujtim Shabani

Të nderuar qytetarë të Komunës së Tearcës!

Kam dy fjalë zemre për ju lidhur me kandidatin për kryetar të Komunës suaj, Nazim Taipi.

Me Nazim Taipin kemi mësuar bashkë në Gjimnazin e Tetovës, kemi studiuar bashkë në Universitetin e Friburgut, kemi punuar bashkë në Zürich dhe jemi miq të shtrenjtë, që bashkë shkëmbejnë vazhdimisht përvoja e mendime. E njoh fort mirë, prandaj ju ftoj të votoni për Nazim Taipin!

Nazim Taipi jeton prej mëse 20 vjet në Zvicër. Ai e ka njohur botën dhe ka krijuar shprehi dhe mendësi perëndimore. Ai është i sistemuar më së miri në kryeqytetin e Zvicës, por vendlinjen e ka në mendje dhe zemra i rreh për Tearcën. Prandaj: Votoni për Nazim Taipin!

Nazim Taipi s’ju vjen vetëm me pasion mërgimtari, por dhe me një formim të mirëfilltë intelektual. Ai ka kryer për Ekonomi Politike e të Ndërmarrjes dhe Sociologji të Medieve në Universitetin e Friburgut. Për më tepër, atë e shquan një interesim i admiruar për fusha të tjera të dijes dhe arteve. Prandaj: Votoni për Nazim Taipin!

Nazim Taipi është një shembull i suksesit profesional. Ai i drejton dy ndërmarrje në Zvicër dhe dy të tjera në Tetovë, nga fusha e sigurisë, sportit, ndërtimit. Thelbi i biznesit të tij janë megjithatë konsulenca financiare dhe e ndërmarrjes. Prandaj: Votoni për Nazim Taipin.

Nazim Taipi është një bashkëbisedues i vëmendshëm, kuvendar i arsyeshëm dhe drejtues i vendosur. Atë e karakterizon humanizmi, ndershmëria, patriotizmi, urtësia, studimi, vizioni, iniciativa, zelli, guximi, bujaria, solidariteti, mirënjohja… Prandaj: Votoni për Nazim Taipin!