Lënda për Ligjin e Gjuhëve, në pritje të gjyqtarit të fundit kushtetues

Zgjedhja e gjyqtarit të nëntë të Gjykatës Kushtetuese e mban peng vendimin për lëndën më të vjetër në Gjykatën Kushtetuese që ka të bëjë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Seanca për këtë lëndë me interes të lartë dhe e cila në sirtarët e kushtetueses qëndron që nga viti 2019-të nuk është caktuar pasi duhet të mbahet edhe seanca përgatitore në të cilën duhet të deklarohen ekspertë vendor dhe ndërkombëtar për çështjen e ligjit.

“Në fuqi është konkluzioni me të cilin parashikohet për këtë lëndë që të diskutohet në përbërje të plotë, duke e pasur parasysh se nga 9 gjyqtarë të parashikuar, Gjykata funksionon për momentin me 8, nuk mund të precizojmë datë konkrete. Plotësisht, në fuqi është edhe konkluzioni për mbajtjen e seancës përgatitore, që do të thotë se pasi të zgjidhet edhe një gjyqtar, Gjykata duhet të mbajë fillimisht seancë përgatitore, ndërsa më pas të caktojë datë për seancë”, theksojnë për Alsat nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë Këshilli Gjyqësor e ka miratuar me shumicë votash emrin e gjyqtares Meri Dika Georgievska e cila aktualisht ushtron funksionin e kryetares së Gjykatës së Apelit në Shkup. Emri i Dika Georgievskës u gjet në seancën е 97-të të Kuvendit më 8 prill, megjithatë nuk është shqyrtuar.

Nga Kuvendi thonë se nuk dihet se kur do të caktohet vazhdimi i seancës së 97-të të Kuvendit. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në një bisedë të shkurtër telefonik për Alsat, tha se ende nuk kanë ndërtuar qëndrim nëse do ta mbështesin kandidatin e organit të pavarur gjyqësor, ndërsa pret që së shpejti të vendoset. /Alsat.mk.