Lehtësimi i masave do të varet prej trendit të të infektuarve të rinj, vendimi nesër

Të gjitha masat e marra deri më tani për t’u mbrojtur nga koronavirusi tani për tani mbeten në fuqi. Nëse do të ketë lehtësim do të varet nga tendenca e të infektuarve të rinj me Kovid-19 sot dhe nesër.

Ky është rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për sëmundje infektive pas mbledhjes së djeshme në të cilën është diskutuar mundësia e lehtësimit të masave të deritanishme për parandalimin dhe mbrojtjen kundër përhapjes së koronavirusit.

Trendi i rasteve të reja me Kovid-19 në dy ditët e ardhshme, do të shqyrtohet në mbledhjen e Komisionit për sëmundje infektive nesër, pas së cilës do të jepen rekomandime të reja Qeverisë për veprime të mëtejshme në lidhje me masat.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që në mënyrë të vazhdueshme t’i zbatojnë masat, ta respektojnë ndalimin e grupeve më të mëdha se dy persona, të mbajnë distancë prej të paktën dy metra dhe të mbajnë pajisje mbrojtëse për fytyrë në rast se hapësira midis qytetarëve është më e vogël se siç përcaktohet.

Kryeministri Oliver Spasovski tha se vendimet e qeverisë për masat do të bazohen vetëm në mendimin e ekspertëve.

– Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ndërton qëndrimet e veta ekskluzivisht në bazë të shkencës, në bazë të atyre që janë ekspertë të fushës, sepse shëndeti i qytetarëve nuk mund të jetë në duart e politikanëve. Duhet të jetë në duart e atyre që kujdesen për shëndetin tonë, dhe ata janë mjekët dhe stafi mjekësor, të gjithë ata që janë përkushtuar në periudhën e kaluar, dy, tre muaj janë duke punuar për të ruajtur shëndetin tonë”, tha Spasovski.

Paralajmëroi se pas takimit të Komisionit për sëmundje infektuese, lidhur me masat mbledhje do të mbajë Shtabi kryesor operativ dhe në fund Qeveria do të debatojë dhe do të sjellë vendime./MIA