Lajm i mirë për qytetarët: Transferimi i parave nga Maqedonia drejt Evropës, gjashtë herë më i lirë

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) ka ulur ndjeshëm kostot e transaksioneve ndërkombëtare, ndërsa kursimet nga tarifat bankare gjatë vitit të parë pritet të tejkalojnë pesë milionë euro.

Këtë e bëri të ditur guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, gjatë një seminari në Bankën Qendrore Evropiane në Frankfurt.

Sipas Sllaveskit, dërgimi i 500 eurove drejt vendeve anëtare të SEPA-s tashmë kushton gjashtë herë më lirë për qytetarët, ndërsa për kompanitë, kostot e transferimit të 20 mijë eurove janë ulur nëntëfish.

Guvernatori paralajmëroi edhe krijimin e një platforme rajonale për pagesa të menjëhershme, sipas modelit evropian TIPS.

Platforma e re do të mundësojë transferimin e parave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, duke lehtësuar pagesat brenda dhe jashtë vendit.

Sllaveski theksoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit makroekonomik, investimeve cilësore, modernizimit teknologjik dhe inovacioneve për zhvillimin ekonomik dhe afrimin me Bashkimin Evropian.