Kujdes shoferë! Edhe veturat e policisë në lëvizje do të regjistrojnë shkeljet në trafik

Sistemi “Safe City” do të shtrihet në mbarë Maqedoninë e Veriut, ndërsa automjetet e policisë do të pajisen me kamera inteligjente dhe radarë mobilë, të cilët do të regjistrojnë shkeljet në trafik edhe gjatë lëvizjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se sistemi pritet të zbatohet plotësisht deri në mesin e vitit 2027.

Teknologjia e re do të mundësojë evidentimin automatik të shkeljeve, pa pasur nevojë që automjetet e policisë të qëndrojnë në një vend të caktuar. Radarët mobilë do të përdoren si në zonat urbane, ashtu edhe në rrugët e hapura.

Sipas Toshkovskit, sistemi do të zgjerohet në Strumicë gjatë gjysmës së parë të dhjetorit, në Shtip më së voni deri në fund të janarit, ndërsa në Shkup deri në fund të shkurtit.

Deri në fund të vitit pritet të nisë edhe evidentimi i parkimeve të parregullta në bulevardet kryesore, për të cilat do të nevojitet konfirmimi i një punonjësi të policisë.

Nga java e ardhshme, qytetarët pritet të kenë në dispozicion edhe një aplikacion mobil, përmes të cilit do të mund të kontrollojnë shkeljet e regjistruara dhe të paguajnë gjobat.

Gjithashtu, deri në fund të vitit pritet të vihet në funksion pika e kontrollit të automjeteve në vendkalimin kufitar të Bllacës.

Sipas ministrit, qëllimi i modernizimit të sistemit është reduktimi i aksidenteve dhe i numrit të viktimave në trafik, me synimin që deri në vitin 2050 të mos ketë viktima në komunikacion.