Lajçak thotë se po punojnë që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet brenda javësh

I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.

“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha ai.

Këto deklarata Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me Kurtin, ku tha se është diskutuar edhe çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Zyrtari i lartë i BE-së qëndroi në Prishtinë, më 6 dhjetor, një ditë pasi në Beograd takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak tha se me Vuçiqin diskutoi për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti serb tha se me të dërguarin e bllokut foli për dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja, por edhe për problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

Lajçak: Me Vuçiqin biseduam për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës
Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës (institucionet e drejtësisë, policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi) në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.

Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, por jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Vizita e Lajçakut në Kosovë po zhvillohet disa ditë pas Beogradi kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit Kurti, i cili emëroi udhëheqësin e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Serbia tha se ky vendim përbën shkelje dhe se Rashiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Më herët, postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete e mbante Goran Rakiq, lider i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Por, ai është në mesin e zyrtarëve serbë, të cilët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës për shkak të çështjes së targave.