Kuvendi do të vendosë nëse do të fillojmë negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në konferencën e përbashkët për media me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel theksoi se Kuvendi do të marrë vendim nëse do të fillojë negociatat me BE-në.

Sipas Kryeministrit, Kuvendi do të nxjerrë konkluzione pasi Qeveria t’ua dorëzojë deputetëve propozimin evropian.

“Përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare janë të përfaqësuar në Kuvend dhe aty do të kenë takime, ku normalisht do të marrin pjesë përfaqësues nga radhët e tyre dhe në të cilat duhet të diskutohen konkluzionet në lidhje me propozimin evropian që e kemi marrë nga BE-ja”, tha Kovaçevski konferencë e përbashkët për shtyp në Qeveri.

Kovaçevski dhe Michel paraprakisht theksuan se propozimi evropian për fillimin e negociatave përmban të gjitha qëndrimet dhe kundërshtimet e Maqedonisë së Veriut, si dhe se negociatat mund të fillojnë menjëherë pas miratimit.

Siç u njoftua, propozimi parasheh një gjuhë të pastër maqedonase, të barabartë me gjuhët e tjera të vendeve anëtare të BE-së.