Kushtetuta nuk i jep të drejtë Listës Serbe, Kurti ua heq privilegjet e qeverive të kaluara

Lista Serbe e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Qeverinë Kurti II, për shkak se kjo ministri i ka dhënë vetëm një ministri.

Ajo pretendon se i është bërë e padrejtë ndarja e vetëm një ministrie dhe kërkojnë që të kenë dy të tilla.

“Ankimi kundërshton vendimin e Asamblesë për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë nga 22 Mars, 2021, në të cilin komunitetit serb iu dha vetëm një ministri edhe pse sipas Kushtetutës ishte i detyruar të caktonte dy”, thuhet në njoftim.

“Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me të drejtën kushtetuese duke respektuar të drejtat e popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe pretendon se me këtë vendim serbëve iu është mohuar përfaqësimi i drejtë.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se ajo çfarë ka bërë Lista Serbe është e drejtë e tyre por që nuk besojnë se ka mbështetje.

Miftaraj: Privilegjet që kishte Lista Serbe në qeveritë e kaluara, nuk do të thotë të ketë edhe për qeverinë aktuale

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Bota sot” ka thënë se është e drejtë e tyre por që nuk ka mbështetje, qoftë në Kushtetutën e Kosovës apo dokumentin e Planit Ahtisari si dokument që promovon të drejtat dhe privilegjet e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

“Lista Serbe dhe palët e autorizuara kanë të drejtë të ngritin çështje pranë Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, në rastin konkret, një kërkesë e tillë nuk është se ka mbështetje qoftë në Kushtetutën e Kosovës apo dokumentin e Planit Ahtisari si dokument që promovon të drejtat dhe privilegjet e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, privilegjet që kishte Lista Serbe në qeveritë e kaluara, nuk do të thotë që janë obligative edhe për qeverinë aktuale apo qeveritë që do të formohen në të ardhmen.

“Edhe përkundër se qeveritë e kaluara kishin ofruar privilegje më aspektin pozitiv për Listën Serbe jashtë asaj që e përcakton Kushtetuta, këto privilegje dhe praktika nuk janë obligative edhe për qeverinë aktuale apo qeveritë që do të formohen në të ardhmen”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

Kelmendi: Gjykata Kushtetuese vendos në bazë të Kushtetutës

Edhe juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, për “Bota sot” ka thënë se Kushtetuta saktëson që nëse qeveria ka mbi 12 ministri, atëherë duhet të jenë 3 ministra nga komunitete cilat do qofshin ato, jo vetëm nga komuniteti serb.

“Në Gjykatën Kushtetuese është e drejtë e subjekteve juridike parlamentare, e grupit të qytetarëve, e Avokatit të popullit dhe të Presidentit të bëjnë padi për kushtetutshmëri. Pra, nuk është asgjë e re, pse Lista Serbe e ka dërguar në Gjykatë padinë dhe pse kërkon “dy” ministri. Në Kushtetutën e Kosovës, neni 96, paragrafi 3, qëndron: “Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti serb dhe një (1) Ministri nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se 12 ministri, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë”. Nga ky përkufizim kushtetues vërehet se në Kosovë kur ka mbi 12 ministri, minoritetet i kanë tre ministri. Mirëpo kjo nuk i takon vetëm minoritetit serb. Ministri i tretë mund të jetë rom, turk, egjiptian, boshnjak etj. Jo pra domosdo vetëm serb”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, Gjykata nuk mund të obligojë Qeverinë që ketë apo atë ministër të këtij a atij komuniteti, ta caktojë Qeveria në Ministër të tretë të komuniteti.

“Unë nuk di sa ministra i kanë minoritetet. Por, nëse nuk janë 3 ministra kur Qeveria e Kosovës i ka mbi 12 ministri, Gjykata do të kërkon që edhe një ministër nga ndonjë komunitet jo shumicë të caktohet në Qeveri. Tash a është ministri nga komuniteti rome, turk, egjiptian, boshnjak a serb, varet nga Qeveria. Gjykata nuk mund të obligon Qeverinë që ketë atë ministër, të këtij a atij komuniteti, të caktohet nga Qeveria në Ministër të tretë të komuniteti. Qeveria është e lirë për të vendosur mbi ministri e tretë dhe askush nuk mund të detyron”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Kushtetuta nuk thotë sa ministri i takojnë Listës Serbe

Edhe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se askund në Kushtetutë nuk shkruan sa ministri u takojnë në qeveri, por vetëm se duhet të jenë pjesëmarrës në qeverisje.

ImageBlerim BurjaniFOTO GALERI
“Me rëndësi është se Kushtetuta e shtetit është respektuar, pakicat janë kategori kushtetuese dhe pjesëmarrja e tyre është e garantuar edhe në kuvend dhe në qeveri, tash askund në Kushtetutë nuk shkruan sa ministri u takojnë në qeveri, por vetëm se duhet të jenë pjesëmarrës në qeverisje, pra dërgimi në Gjykatën Kushtetuese është e drejtë kushtetuese, por çfarë vendimi do të dalë do të varet shumë nga ajo që parasheh Kushtetuta”, është shprehur Burjani.

Siç thekson ai, Kushtetuta nuk thotë sa ministri u takojnë grupeve minoritare, por kjo kuptohet se minoritete mund të kenë më shumë ministri me marrëveshje koalicioni.

“Kushtetuta nuk thotë sa ministri u takojnë grupeve minoritare dhe se kjo është më tepër çështje politike e koalicioneve politike dhe marrëveshjeve politike, pra kjo kuptohet se minoritete mund të kenë më shumë ministri me marrëveshje koalicioni, pro kjo listë nuk është pjesëmarrje në koalicion, kjo tash është temë tjetër”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.