Kush po e kërkon shkatërrimin e shtetit të Kosovës!

Është i papërsëritshëm rasti i Kosovës. E pranuar nga i gjithë perëndimi si rast sui generis, e trajtuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po ashtu. Themelet e shtetit u vunë po mbi këtë bazë, me pakon e Ahtisarit. Kushtetuta e saj, në fakt është vet kjo pako. Por, jo rrallë kjo po godite nga zyrtarë të Bashkimit Europian. Rasti më flagrant ishte përpjekja e Mogherinit, që e përkrahur edhe nga Thaçi fuqishëm, deshi ta shtronte në bisedime ndarjen e Kosovës.

Ky proces u godit rënë me arrestimin e Hashim Thaçit nga gjykata speciale, dhe paraprakisht me ndërprerjen e rrugës për në SHBA, ku donte të shkonte ta nënshkruante marrëveshjen, duke pretenduar se do ta bënte nën bekimin e presidentit amerikan. Ato ditë ankthioze për shqiptarët nuk do të kthehen më. Por, presionet e një pjese të qarqeve të caktuara europiane, që duken të jenë më të ndikuara nga interesat serbe, nuk kanë të ndalur.

Presioni për ta dëmtuar konstitucionalizmin e Kosovës s’ka reshtur. Ai është rikthyer sërish në këto ditë, kur Serbia, dhe vetë presidenti i saj Vuçiq, nuk po pushon së propaganduari kundër Kosovës, dhe madje duke provokuar edhe për konflikt të hapur, pavarësisht se këtë të fundit e bën më shumë për konsum të brendshëm.

Është e habitshme për autoritete europiane, se si mund të parashtrojnë kërkesa anticivilizuese. Madje kjo së fundi u bë nga diplomacia e BE-së. Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm – EEAS nëpërmjet zëdhënësit #Stano ka kërkuar që Kosova ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, edhe pse antikushtetues, duke e rikthyer kërkesën, që Kosova ta ndryshojë Kushtetutën.

Kjo është një thirrje vandaliste, dhe nuk mund të shihet ndryshe. Shkatërrimi i Kushtetutës, nënkupton sulm ndaj demokracisë, sovranitetit dhe unitetit shtetëror. Pra, me një fjalë Stano, përkatësisht Shërbimi i Jashtëm Europian, po kërkon shkatërrimin e shtetit të Kosovës, që më së paku e nënkupton ndarjen e saj, ashtu siç provonte të bënte Mogherini.

Kundër Shërbimit të Jashtëm ka reaguar në fakt, vetëm diplomati holandez, i cili ka treguar gjithherë me qëndrimet e tij, se është një mik i vërtetë i shqiptarëve, por mbi të gjitha i humanizmit dhe demokracisë në botë.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch e ka akuzuar Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për trysni ndaj Kosovës, dhe për njëanshmëri ekstreme, pra për qëndrime proserbe.

“Përsëri Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm – EEAS përmes zëdhënësit #Stano ushtron presion mbi #Kosovën që të zbatojë ASSM dhe nëse jokushtetues kërkon që Kosova të ndryshojë kushtetutën. Njëanshmëria ekstreme është e qartë”, ka shkruar Bosch, në faqen e tij në “Facebook”. Ndërkohë, që Bosnja ndodhet në krizë për shkak se udhëheqësi i serbëve të atjeshëm në koordinim me Vuçiqin dhe Rusinë, po pretendon ta ndajë këtë pjesë të shtetit boshnjak, duke ia bashkuar më pas Serbisë, edhe kërkesa për Asociacion antikushtetues, që më pas ua krijon mundësinë serbëve të bashkohen për një republikë brenda Kosovës, është në interes të hapur të krijimit të një Serbie edhe më të madhe, se sa vetë Serbia e madhe, e krijuar mbi gjysmën e saj mbi territor shqiptarë, dhe me gjak shqiptarësh, të asimiluar.

Pra, në aspektin gjeostrategjik, ajo çfarë ka përfaqësuar Stano, është në të njëjtën valë me përpjekjet serbe.

Përpjekjet e Serbisë për ta ndarë Kosovën, që dështuan nëpërmjet Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, tashmë janë përqendruar në krijimin e Asociacionit Antikushtetues. Këtë rikonfirmoi dje presidenti i Serbisë, duke theksuar, se ose do të bëhet asociacion, siç është bërë, që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur në më shumë se 20 pika antikushtetues, “ose nuk do të bëhet fare”. Ky mesazh se nuk do të bëhet fare, është paralajmërues për konflikt. Përpjekjet serbe për konflikt i ka dekoduar, gjenerali në pension i SHBA-ve, Muharrem Maralusha, duke argumentuar sipas informacioneve të tij, se Serbia ka filluar rekrutimin e vullnetarëve rus, për t’i dërguar në Kosovë, nëse shpërthen konflikti në veri.

“”Dveri”, një organizatë ultra nacionaliste serbe, është tue ba rekrutimin e vullnetarëve në Rusi për me i dërgue në Kosovë, në rast të një konflikti. Këta janë të bindun se një konflikt është i pashmangshëm në Kosovë. Të njëjtit mendim janë qeveria e tashme serbe. Ky rekrutim i vullnetarëve rus është tue u ba me dijeninë e plotë të vuqiçit dhe të Vulinit, si koordinator i këtij projekti është gjenerali serb i pensionuar, gjenerali Dikoviç“, ka alarmuar Maralusha.

Kosova nuk ka reaguar as ndaj z.Stano, kërkesës-presion të BE-së për ta pranuar një Asociacion antikushtetues, dhe as nuk ka reaguar ende ndaj kërcënimit të djeshëm të Vuçiqit.