Kush i fiton zgjedhjet në Gostivar, Taravari apo Bejta?

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur në heshtje dhe prapaskenë përgatitjet për zgjedhjet lokale të tetorit të 2021.

Komuna e Gostivarit është një nga bastionet ku partitë në pushtet dhe opozita shqiptare do t’i masin forcat.

Deri tani nuk asgjë zyrtare për kandidaturat, edhe pse në koluaret partiake tashmë thuajse janë definuar kandidaturat.

Gara e ngushtë do jetë mes koalicionit opozitar shqiptar ASH -Alternativa dhe në anën tjetër BDI, e cila varet se si do garojë dhe se a do ta ketë mbështetjen e partive tjera shqiptare. Akoma nuk do të dihen pozicionet e Lëvizjes BESA dhe PDSH, përcjell INA.

Në kampin opozitar shqiptar sërish pritet të jetë kandidat kryetari aktual i Gostivarit, Arben Taravari. Ky i fundit në një prononcim nuk përjashton mundësinë e rikandidimit, por do respektojë vendimet partiake.

“Nëse më këkohet, do ta shqyrtojë kërkesën”, është përgjigja e shkurtër e Arben Taravarit.

Ai ka theksuar se në Gostivar janë bërë shumë punë, projekte dhe transparencë, edhe me gjithë obstruksionet e pushtetit qendror në arsim, investime dhe projekte tjera.

Ndërkohë në kampin e BDI-së sërish përmendet ish-kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta. Ai së fundi ka paralajmëruar rikandidimin e mundshëm, duke shtuar se nuk është dëshirë e tij, por nevojë e qytetarëve.

“Qytetarët dinë të bëjnë dallimin se si ka qenë Gostivari në kohën e Nevzatit dhe si është Gostivari në kohën e Taravarit. Dallimi është shumë i madh dhe për këtë shkak qytetarët dëshirojnë të më kthejnë në krye të qytetit të Gostivarit”, tha Bejta.

Ai tha se nëse gjendet kandidat tjetër që mund të bëjë punë më të mira se ai, atëherë ai do të mbështes atë kandidat që do të realizojë projektet që janë në favor të qytetarëve.

Fitorja e kandidatëve shqiptarë do të varet nga votat e komunitetit maqedonas dhe turk, por edhe pozicionimi apo koalicionimi i partive të tyre.