Kurti VS Kushtetuta

Kjo është një luftë e shpallur që në gjenezë, porse, demokracinë kushtetuese e mbronë sistemi stabil, që është derivat i një shtetndërtimi hibrid (kosovar-ndërkombëtar); Estabilishmenti që mësynte ta trondiste Albin Kurti

Nga Halil Matoshi

Shpata e Albin Kurtit ka vringëlluar mbi Kushtetutën e Kosovës që në embrion të saj. Ai ishte kundër Procesit të Rambouillet-së, që i hapi udhë intervenimit të NATO-s dhe lirisë së Kosovës. Ai me aktivizmin e tij u ngrit edhe kundër Procesit Negociues të Vjenës dhe Pakos Ahtisaari që i dha Kosovës pavarësi kombëtare!

Ai e kishte tullusum deri në urrejtje rendin simbolik kosovar e flamurin e quante “lara-lara”, sepse koncepti i tij integrist i kombit etnik nuk përshtatej me konceptin e një shteti modern, të de-etnizuar, nga fakti se nuk mbërrinte të ngjyej me ngjyrat kuq-zi të gjitha hapësirat shqiptare, pasi kufijtë etnikë nuk mund t’i përthekonte në një shtet.

Kurti sefte e në krye të herës, është nacional-socialist “pa thonj” dhe albanocentrik dhe sillet ndonjëherë sikur e pengon fuqizimi i Kosovës si entitet i pavarur juridik-politik!

Ashiqare që Kurti sillet me arrogancë dhe me një dozë psikopatie politike, ngase nuk po mundet t’ia përshtatë populizmit të tij Kushtetutën e Kosovës!
Ai, që për rebelizëm të dhunshëm antishtet, në secilin shtet funksional duhej të dilte para gjyqi, e mund të ishte ende në burg, por e amnestonte pikërisht demokracia kushtetuese, sot nga posti i Kryeministrit po e lufton Kushtetutën e vendit, me të gjtha mjetet në dispozicion.

Cilat janë shtatë betejat e humbura të Kurtit me sistemin?

E para, Bashkimin me Shqipërinë, integrizëm që Kurti kryeministër i shtetit, (titullar i të cilit është një komb i ri), përpiqet hala me e shitë si “bashkim kombëtar”, porse sipas vet Kurtit nuk po u lejuaka nga Kushtetuta e Kosovës, thue se tek tash e paska zbuluar Kushtetutën si dokument themeltar politik/juridik i një shteti.

Sëdyti, Byronë e hetimit të pasurisë ia hodhi poshtë BE-ja si cenues të sigurisë juridike, kurse Komisioni i Venedikut ia “zhveshi” deri n’asht – duke ia deplasuar këtë mekanizëm në shërbim partiak.

Sëtreti, Kurti e pezulloi ndaljën e rrogave arsimtarëve kosovarë, që në mënyrë arbitrare deshti t’ua ndaltte, ashiqare me sygjerimin e një njeriu pa mbamendje institucionale dhe pa edukim shtetëror si Ministri Murati;
Sëkatërti, Kurti u tërhoq nga insistimi i tij kryeneç për gjobitjen e qytetarëve serbë për targat e paligjshme dhe e pranoi vet se nuk kishte informata se çfarë po ndodhtte.

Pra nuk dinte asgjë për pasojat që mund t’i kushtonin me humbje të te drejtës për ta qeverisur veriun e vendit.

Sëpesti, Kryeministri i Kosovës e humbi edhe një betejë me ligjin, pasi që Gjykata e pezulloi masën e tij shtrënguese për prokurorët e gjyqtarët, ngase vendimi qeveritar për ulje të pagave, hapur ishte antikushtetues!

Sëgjashti, ai nuk donte të shihte verdiktin e Kushtetueses (pika 2) duke bërë thirrje që të kundërshtohet çfarëdo Asociacioni, kurse tashti është zotuar se do t’i zbatojë të gjitha marëveshjet e arrituna në Bruksel, përfshi Asociacionin, sipas Marrëveshjës së vitit 2013. Mirëpo, kjo zgjidhje kushtetuese e shtyri atë në rebelim dhe me parullën populiste “Zajednica nuk kalon”, si kryekauzë e tij, që e përplaste lëvizjën e tij me pariotizmin kushtetues, duke e çuar vendin në protesta të përgjakshme e sulme mbi institucionet e shtetit, duke e paralizuar Kuvendin me gaz lotsjellës, i cili me Konventa ndërkombëtare cilësohet si armë lufte, sëkëndejmi ndalohet përdorimi i tij mbi civilët.

Sështati, tashti sëvoni Kurtit i erdhi porosia nga BE se emërimi i Nenad Rasić-it ministër në vend të Goran Rakić është antikushtetues!
Dhe është!

Duke mos dëgjuar asnjë zë racional, – si një antikonstitucionalist i egër – dhe me mësymjet e tij për ta dominuar shoqërinë kosovare në këtë fazë e për t’u rikthyër tek nacionslizmi etnik, nesër, me nisma antikushtetuese të njëpasnjësme, po përpiqet t’i justifikojë veprimet e tij antishtet në luftën e tij për pushtet!?

Porse, tashti po shihet (po e sheh edhe vet ai, besohet?) se demokracinë kushtetuese e mbronë nga vendimet e tij arbitrare sistemi stabil, që është derivat i një shtetndërtimi hibrid (kosovar-ndërkombëtar) mbështetur në vlerat e përbashkëta.

Këtë shkrim për betejat e Albin Kurtit me Kushtetutën e Kosovës po e msheli me atë që e tha Mateu, (sipas Ungjilli i Mateut 26, 26:52):

“Jeto nga shpata, vdis nga shpata”, por atëherë Jezusi paqēsor i tha atij: “Vëre përsëri shpatën në këllëf, sepse të gjithë ata që jetojnë nga shpata do të vdesin nga shpata”.

Kurti asjëherë s’e ka vënë shpatën në këllef!