Kurti: Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje as vetadministrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë i paraparë në marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur së fundmi, nuk nënkupton vetadministrim.

Këto deklarata ai i bëri gjatë raportimit të enjten në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai iu përgjigj kritikave të opozitës në lidhje me pikën 7 të kësaj marrëveshje që parasheh “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”

“Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje as vetadministrim”, tha Kurti duke i kërkuar deputetëve opozitarë që të mos përdorin “nocione të skajshme”.

Kryeministri Kurti tha para deputetëve se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë-Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara.

Në marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër, specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

Kjo përfshin edhe themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilën u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015.

Kjo marrëveshje që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur në mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim”, tha ai.

Tutje, Kurti ritheksoi se do të angazhohet që nuk do të ketë një pushtet ekzekutiv në mes të nivelit qendror e lokal në Kosovë, përmes këtij asociacioni.

“Çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizmi i Kushtetutës sonë, i ligjshmërisë sonë”, tha ai.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.