Kurti: Taksa 100% nuk pati efekt pozitiv për Kosovën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend për taksën 100 për qind ndaj Serbisë, ka paraqitur “argumentet” që zëvendësimi i taksës me masën e reciprocitetit është zgjidhja më e duhur.

Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kërkesa për zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit ka qenë e kamotshme. Madje ai ua rikujtoi deputetëve se në vitin 2011 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë ku kërkonte masa reciprociteti ndaj Serbisë.

“Edhe në fushatën zgjedhore, edhe pas saj, edhe në programin qeverisës edhe sot e kësaj dite jemi të angazhuar për zëvendësimin e kësaj tarife 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë me parimin e reciprocitetit të plotë politik ekonomik e tregtar. Ky në fakt është edhe obligim i të gjithë shtetit tonë meqenëse me 7 dhjetor të vitit 2011 është miratuar edhe një rezolutë në Kuvendin e Republikës ku asaj kohe kryeparlamentar ishte z. Jakup Krasniqi me të cilën rezolutë ne kemi shprehur qëndrimin tonë dinjitoz e me integritet me një mocion me tri pika”.

Ai ia përmendi AAK-së se këtë rezolutë që kërkonte masa reciprociteti ndaj Serbisë e kishin votuar 3 deputetë të saj, ndërsa tha se kanë qenë 4 deputetë të PDK-së që kanë votuar kundër.

“Ne konsiderojmë se rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk janë tekst në letër por vendime për t’u respektuar e për t’u zbatuar. Aplikimi i tarifës 100 për qind nga ana e Kosovës u shfrytëzua si prektekst nga Serbia për të refuzuar dialogun dhe si rezultat i kësaj Kosova u bë subjekt i trysninë ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër efekti i tarifës 100 për qind ka qenë minimal, për shkak se edhe nuk u zbatua si duhet, qoftë përmes kontrabandës, qoftë përmes marrëveshjeve të fshehta siç është ajo për importim të energjisë elektrike”, tha ai.

Ai tha se edhe disa marrëveshje që u arritën në Bruksel nuk u zbatuan.
Ndërsa shtoi se deri më tani dialogu në Bruksel është bërë për statusin e Kosovës, ndërsa shtoi se me vendosjen e reciprocitetit dialogu mund të shkoi drejt zgjidhjes së pengesave një nga një.

“Në vend që të dialogojmë me Serbinë për territorin tonë, për organizimin e sistemit institucional ne do të dialogojmë për pikat që e reflektojmë sovranitetin e vendit. Të jemi sovran kur të diskutojmë, e jo të diskutojmë për sovranitetin për të qenë sovran. Dhe çdo heqje e një barriere nga lista nënkupton një njohje më tepër të sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha ai.

Kurti edhe njëherë u shpreh i bindur se qëndrimi i tij mesatar, as pro e as kundër taksës është më i drejti

Kurti: Ka versione shumë më të mençura se si mund t’ia arrijmë qëllimet

“Ka versione shumë më të mençura se si mund t’ia arrijmë qëllimet që i dëshirojmë më shumë sesa që kjo është bërë deri më tani. Pra ju të gjithë e dini që ka shumë pengesa për të eksportuar në Serbi dhe unë jam për t’i problematizuar këto. Të kalojmë në ofensivë. Kur ne problematizojmë kërkesat e Serbisë, e jo të detyrohemi të arsyetojmë tarifa”, tha ai.

Kurti përmendi një varg masash të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe për këtë tha që janë duke punuar dhe duke u përgatitur me institucionet përgjegjëse.