Kurti pas takimit me Kos thotë se janë “plotësisht të rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së”

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos po qëndron sot në Prishtinë teksa zhvilloi takim me u.d të Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Pas përfundimit të takimit me këtë të fundit, në një konferencë për media, Kurti tha se Kosova është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, raporton KlanKosova.tv.

“Me komisioneren Kos patëm një takim konstruktiv dhe të drejtpërdrejtë. Kemi ndarë progresin që ka bërë Kosova në vitet e fundit në avancimin e demokracisë, rritjes ekonomike si dhe në kapitujt e anëtarësimit. Jemi të 3-të në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe të dytët në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundim të ligjit. Jemi plotësisht të rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në terma më të ashpër, kemi ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ju kemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse”, tha mes tjerash Kurti.

Ai tha se Kosova po punon me shtetet anëtare, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian ta shtyjnë përpara unitetin për Kosovën.

Kurti deklaroi se zgjerimi mbetet mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian dhe se vakumi i krijuar nga mungesa e avancimit po tentohet të mbushet nga “akterë dashakeq” që, sipas tij, minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë e përbashkët.

“Kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë por kërkohet unitet në angazhim. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët”, tha ai.

“Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian ta shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakeq, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Ai theksoi se Kosova ka bërë progres në shtyllat themelore “dhe kjo jemi të bindur që meriton njohje nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit”.

“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as dyer të pasme, vetëm proces meritor”, tha Kurti.