Kos: Ka vend për Kosovën në BE, por kjo varet nga puna juaj

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos po qëndron sot në Prishtinë teksa zhvilloi takim me u.d të Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Pas përfundimit të takimit me Kurtin, në një konferencë për media, Kos tha se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian, teksa tha që do të punojë që kjo të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur, raporton KlanKosova.tv.

“Sigurisht që ka vend për Kosovën në BE, ne nuk punojmë zakonisht me data. Sa më e suksesshme të jetë Kosova në përmbushjen e reformave, sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë-Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të jemi në gjendje të nisim negociatat – negociatat e vërteta. Ky është aspekti politik. Nuk mund të jap vitin, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa pushim me synimin që ta afrojmë Kosovën gjithmonë e më afër BE-së”, tha Kos.

Ajo theksoi se përtej dimensionit politik, Kosova duhet të punojë ngushtë edhe me shtetet anëtare individuale të BE-së.

“Siç e dini, procesi i pranimit ka një pjesë teknike që lidhet me negociatat, por pjesa tjetër është e lidhur me dinamikën politike brenda shteteve anëtare. Thirrja ime për çdo vend kandidat është që të angazhohet në mënyrë aktive edhe me shtetet anëtare. Atëherë kjo mund të ndodhë”, tha komisionerja.

Ajo shtoi se nuk mund të specifikonte një vit konkret për pranimin e Kosovës, por siguroi se do të punonte “pa u lodhur” për ta afruar vendin me BE-në.

Sipas saj, procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshpejtohet edhe për arsye sigurie, me Kosovën që luan një rol kyç në këtë kontekst.

“Ky proces pranimi është përshpejtuar edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur diskutuam rolin e Kosovës në këtë, u bë e qartë se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën”, deklaroi Kos.

Ajo e përshkroi Kosovën si “një pjesë integrale të pamjes së përgjithshme”, duke shtuar se zgjerimi i BE-së sot ka të bëjë shumë më tepër sesa vetëm me zgjerimin.

“Bëhet fjalë për sigurinë e Evropës, për të qëndruar së bashku, për bashkëpunimin rajonal dhe, sigurisht, për integrimin në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.