“Kumanovë, zemra ime”, kënga e re e Ismet Bexhetit

Këngëtari i njohur kumanovar, Ismet Bexheti, ka publikuar sot këngën e tij më të re të titulluar “Kumanovë, zemra ime”, shkruan gazeta Lajm.

Kënga është shoqëruar me një videoklip, në të cilin bien në sy ngjyrat kuq e zi dhe flamujtë kombëtar që valviten nga disa të rinj. Menjëherë pas publikimit, kënga ka filluar të shpërndahet masivisht nëpër rrjetet rrjetet sociale.

Ky projekt i Ismet Bexhetit vjen disa ditë pasi kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski promovoi një këngë me motive një etnike (maqedone) të cilën e quajti himn të Kumanovës.

Por, ky projekt i financuar nga Komuna e Kumanovës dhe i promovuar nga Dimitrievski u kundërshtua nga shqiptarët e këtij qyteti, të cilët u ndjenë të përjashtuar dhe të revoltuar pasi, siç u shprehën nëpër rrjetet sociale, projekti u financua edhe me takstat e tyre ndërsa nuk pasqyron realitetin etnik të qytetit të Kumanovës.

Kënga e re e Ismet Bexhetit, nga shumë përdorues të rrjeteve sociale është shpërndarë me mbishkrimin “Himni i Kumanovës”, si kundërpërgjigje për projektin monoetnik të komunës së Kumanovës./Gazeta Lajm