Shkruan: Shkëlzen Halimi
Në fillimet e tranzicionit, mjegulla kishte rënë edhe mbi kulturën shqiptare në Maqedoni e Veriut dhe mbahej gjallë vetëm në saje të arnimeve të imta. Gjendja e këtillë dëshpëruese erdhi si pasojë e trajtimit të saj në mënyrë më të vrazhdë të mundshme nga ana e atyre që kulturën e kishin kuptuar si një këngë që këndohet me dy-tri akorde. Nëse tërësitë e njohurive dhe arritjeve zhvillimore të një grupi, shoqërie ose populli, në fushat e caktuara të veprimtarisë mendore, krijuese, materiale e shoqërore përmblidhen me termin kulturë dhe nëse misioni i artit është e vërteta, atëherë ne arrijmë edhe te një e vërtetë tjetër: te mohimi i vetvetes. Po pse shqiptarët duhej të habiteshin kur mohoheshin nga të tjerët!
Ishte e qartë se nuk mund të bëhej kultura me dy –tri klane e as me mafinë kulturore, kuptohet as edhe me ata që kishin shpirt provincial, sepse pikërisht këta ishin mjeshtërit e improvizimit dhe manipulimit. Ata që mundeshin ta parandalojnë këtë heshtën, kurse ata që morën flamurin ishin diletantë që qëndronin në ballë të aktiviteteve shterpë.
Në fakt, kjo bëri që përmes portës së madhe të hyjë akulturimi, si stadi më i lartë i shpëlarjes së trurit dhe kjo, fatkeqësisht, nuk ishte tendencë, por proces që zhvillohej, që nuk e ngacmonte askënd, e sidomos jo përfaqësuesit e komunitetit të “artistëve” shqiptarë, të cilëve herë – herë u ndodhte zgjimi afatshkurtër nga letargjia ose aktivizoheshin vetëm nëse vlerësonin se mund të bëjnë ndonjë biznes, duke u thirrur zëshëm në diskriminimin institucional të kulturës shqiptare.
Ata që ishin kompetentë për ta thënë të vërtetën, ishin futur skutave të errëta dhe nuk dukeshin fare, duke u justifikuar se fajin kinse e kishte vetëm politika. Ndaj, ishte shumë e natyrshme, që në vend të tyre, për fatin e kulturës shqiptare të përkujdeseshin daullexhinjtë, zurlaxhinjtë e shakaxhinjtë që qëndronin në radhët e para të frontit, ndërkaq pas tyre qëndronin ata, manipuluesit e fshehur nëpër istikame.
Definicion të prerë për intelektualin nuk ka. Intelektual mund të jetë një njeri që ka përgatitje të lartë profesionale dhe kulturë qytetare, që vret mendjen vazhdimisht për të sjellë diçka të re dhe me vlerë në shoqëri. Ka disa që mendojnë se intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa për një të ardhme të ndritur. Disa të tjerë mendojnë se një intelektual ka për mision të nxjerrë në pah edhe thelbin e çështjes, rëndësinë që merr një çështje e caktuar në të gjitha kontekstet në të cilat mund ta përcjellin rrethanat. Ai përcakton raportin e një çështje, kauze, shkence etj, me shoqërinë dhe kohën përmes një analize neutrale në emër të parimeve profesionale dhe të vërtetës ashtu siç edhe e percepton.
Por, ka edhe të tillë që vlerësojnë se jo çdo diplomë universiteti na qenka pasaporta që të bën intelektual. Tash shtrohet pyetja: në cilën nga këto vlerësime duhet vënë intelektualin shqiptar? Ajo që është shumë e keqe, është mungesa e debatit intelektual. Në një shoqëri normale ky debat do të duhej të kthehet në një institucion moral.
Aty ku ka debat intelektual, ka vend për zgjidhje dhe për zhvillim të qëndrueshëm. Pa një debat të këtillë, një politikë e caktuar do të ishte e mangët.
Zhan Pol Sartër ka thënë se nuk mund të jesh intelektual po që se nuk posedon, përveç dijes, edhe guximin. Kurse intelektualët shqiptarë në të shumtën e rasteve treguan jo vetëm se janë të padijshëm, por edhe frikacakë. Dilema se a ka intelektualë shqiptarë në Maqedoni e Veriut, është një çështje që vazhdon të mbetet dilemë.