Kulaçi i ASH-së në duar të Alternativës?

Dalja ose jo e Alternativës së Afrim Gashit nga koalicioni qeveritar do të ndikojë direkt në pjesën e kulaçit qeveritar që ta fitojë Aleanca e Taravarit, mëson Klan Macedonia nga burime brenda ASH-së.

SI thonë këto burime, në rast se Alternativa mbetet në qeveri atëherë ASH do ta marrë Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, ndërsa nëse partia e Gashit largohet nga qeveria, Aleanca për Shqiptarët do ta fitojë Ministrinë për Shoqëri Informative.

Sonte është paralajmëruar takim i kreut të LSDM-së, Kovaçevski me partnerët e koalicionit për të definuar përfundimisht rezultatin e arritur nga bisedimet me ASH-në, por edhe me Alternativën, me të cilët u takua sot në mesditë.

Siç mëson Klan Maqedoni pritet që të ketë edhe një takim përfundimtar mes strukturave drejtuese të Aleancës për Shqiptarët për finalizimin e marrëveshjes.

Ajo që tashmë dihet, Shëndetësia dhe Drejtësia do të drejtohen nga kuadro të ASH-së. Gjithashtu, janë arritur marrëveshje për drejtoritë si MEPSO, Fondi Pensional dhe Invalidor apo Posta e Maqedonisë. ASH do të fitojë edhe pozitën e zëvendësministrit në Mbrojtje, ndihmësdrejtor në Dogana dhe zëvendësdrejtor në DAP./KlanMacedonia