Ku nisi ‘sherri’ mes Ramës dhe Kurtit?

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Sherri mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit, Albin Kurti filloi në tetorin e vitit 2019 në qytetin Novi Sad të Serbisë. Kur vjeshta kishte filluar të largohej dhe dimri po afronte, Rama filloi një besëlidhje me fqinjët Aleksadrin dhe Zoranin.

Këtë takim, ata po e shisnin si një pikë kthese në historinë e Ballkanit Perëndimor. Po niste një faqe e re “blanko”, ku do fshihej memoria kolektive e të gjithë banorëve të këtij rajoni.

Serbia e cila kishte kryer gjenocide të pa para në Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë, po paraqitej në rolin e engjullit, duke promovuar një integrim rajonal, paqe dhe bashkëpunim mes popujve tw Ballkanit, bazuar në modelin Shengenit evropian, por pa evropianët.

Rama, me vetëdije apo pa vetëdije, po e ndihmonte ekspansionin serb, duke e anashkaluar shtetin e Kosovës, i cili po barrikadohej pikërisht nga miku i tij Aleksandri.

Serbisë po i hapeshin autostradat, portet detare, për të shitur mallin e saj, e Kosova nuk po trajtohej si shtet i barabartë në këtë nismë djallëzore, pa garanca dhe mbështetje evropiane.

Në këtë drejtim dha një kontribut edhe politikani maqedon Zoran Zaev, duke ndjekin kursin e kahmotshëm të shtetit që drejtonte, ai i ndihmoi dhe i shërbeu djallëzimit politik dhe ekspansionit serb.
Më në fund, dhe “mini-shengeni” i lansuar serb për rajonin e Ballkanin, hapi dyert pikërisht në Shkup. Dhe kjo politikë nuk duhet të shihej si e rastit, pasi që nismat e tilla ndoshta mund të kishin lindur në Tiranë, Prishtinë apo edhe Zagreb, ku kulmon përcaktimi dhe përkushtimi për integrim të plotë në strukturat euroatlantike.

Tani që Rama u largua, Ballkani i Hapur na mbeti një “mini-shengen” apo “lëvizje e lirë” “alla-sllave” e stilit jugosllav.

Kwtw e dwshmon takimi i fundit me kryeministri Kovacevski dhe homologes serbe , Ana Brnabiq. Tw dy liderwt u zotuan se kësaj nisme do ti shkojnw deri në fund. Fatkeqësisht në këtë shfaqje cirku kishte edhe ca shqiptarë që dolën në fotografi.

Por si do të pajtohen Rama e Kurti, dy vëllezër të një gjaku?

Mbase topi është në dorën e Ramës, i cili duhet të kthehet në Gjakovë, aty e la softën shtruar dhe krushqit pa nuse.

Rama tani duket që e ka kuptuar se një Proces Berlini, një minishengen apo Ballkan i Hapur do të ishte lehtë i realizueshëm për shqiptarët, gjegjësisht Shqipërinë dhe Kosovën, shtete të cilat i përkasin një kombi dhe nuk paragjykojnë njëri tjetrin.

Një traktat ndërqeveritar i modeleve të Bashkimit Evropian do të përshpejtonte anëtarësimin e të dy vendeve në strukturat euro-altantike si dhe do ti ndihmonte, sidomos Kosovës për tu futur më lehtë në tregjet rajonale dhe evropiane.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në dimensionin ekonomik do të rriste peshën e shqiptarëve në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare dhe ndër-fqinjësore.

Ndërsa, përskaj kësaj do të përfitonin bizneset por edhe qytetarët. Me këtë do të rriten edhe investimet e huaja për faktin se investitorët kërkojnë tregje më të mëdha për të investuar kapitalin e tyre. Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali si dhe personat të mund të lëvizin lirishtë sikur brenda një shteti të vetëm.

Pra heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve, ndërsa gjithashtu do të mundësonte që të mos bllokohen më mallrat për shkak të rregullave dokumentacioneve dhe procedurave të panevojshme dhe nga tatimet për mallrat e importuara.

Të integrohemi njëherë ne shqiptarë, vëllezër të një gjaku, e pastaj le të bashkangjiten fqinjët tanë nga rajoni, Shkupi, Beogradi, Podgorica e Sarajeva.

Në fund të fundit shqiptarëve ju takon ta realizojnë një integrim rajonal në të gjitha dimensionet, sepse janë një popull paqësor, që nuk nuk kanë shprehur pretendime territoriale ndaj fqinjëve.