“Sa poshtë ka rënë katundi”!

Numan Sallai

Politika shqiptare në Maqedoninë shumëpartiake mban etiketën: “Sa poshtë ka rënë katundi”! Këtë idiomë nuk ka mundur ta heqë prej vetes asnjë garniturë politike. Ndërsa Fjalori i Gjuhës Shqipe e paraqet si shprehje të zhgënjimit të thellë, ironi ndaj rënies morale, shoqërore e kulturore të një grupi njerëzish, të një mjedisi apo të një personi specifik. Pra, kur degradohet thellësisht niveli dhe dinjiteti i një komuniteti.

A mund të kontestohet ky pohim? Jo. Sepse shoqëria shqiptare akoma “nuk e di” (aktron, bëhet sikur nuk e di) nëse populli është apo nuk është shtetformues, nëse gjuha shqipe është apo nuk është zyrtare, sa janë shqiptarët në numër, nëse provimi i jurisprudencës mund të mbahet në shqip apo jo (sikur vetëm provimi i kësaj veprimtarie profesionale të mbahet në gjuhën maqedonase)… Të pabërat janë të panumërta, gjithandej. Madje, madje, shënohen të arritura “kolosale” nëpër vendbanimet rurale, ndërsa çështjet kapitale, të cilat i paraqesin në programet e tyre zgjedhore, as që e shohin ndonjëherë dritën e bardhë. Mbase ka ndonjë përjashtim të vogël.

Nga ana tjetër, krahas neglizhencës për ta sjellë statusin e shqiptarëve në rrafshin e merituar, e ashtuquajtura politikë në vazhdimësi ka prodhuar çështje minore për ta manipuluar opinionin. Ka ngulfatur edhe shtresën intelektuale. Ose e ka heshtur me ndonjë “karrem” të vogël, ose e ka shpallur të papërshtatshme për vijën e krimit politik. Sepse vetëm nga kjo shtresë shoqërore mund të lindë një elitë që do ta çonte vendin në drejtimin e duhur, do të vendoste standarde dhe përgjegjësi, përtej interesit personal. Do të eliminohej kyçja në politikë e injorantëve dhe e grupeve të biznesit të lidhura me botën kriminale, ndërsa do të dilnin në sipërfaqe njerëz të përfaqësimit shoqëror, njerëz me dije, përgatitje profesionale dhe merita shoqërore…

Shtetit tonë, pra edhe shqiptarëve, u duhen institucione me integritet, ku drejtësia ndan drejtësi, ku arsimi prodhon dije, ku shëndetësia shëron njerëz dhe ku njerëzit mbrojnë interesin publik.