Ku fëmijët nuk rriten, të rinjtë nuk plaken e pleqtë nuk sëmuren!

Shkruan: Kim Mehmeti
Për dreq atë ditë telefonin e dorës nuk e kisha me vete. Thuajse e dija se ajo ishte ditë e lajmeve të këqija. Po njeriu mund ta shmang lajmësin, por nuk ka ku t’i ikë lajmit. Kështu që aty nga mbrëmja më arriti zëri që më kumtoi se ai kishte rënë në gjumë dhe nuk donë të zgjohet.
Ishin mbledhur të gjithë mjekët e njohur, kishin kuvenduar mes veti duke mos lënë gjë pa bërë që ta bindnin të zgjohej, të mos joshej nga engjëjt e botës ku askush nuk ëndërron, ku ëndrrat janë jetë e jeta është ëndërr.
Por mëkot: pesë muaj me radhë ai nuk i hapi sytë. Thuajse nuk donte ta shihte dhembjen e atyre që i donte dhe e donin.
Nga tre vëllezërit sa ishin, ai ishte i vetmi që ma respektonte moshën dhe emrit tim ia shtonte mbiemrin e pleqërisë – ‘Bac’. Dhe me atë shikimin e syve gjysmë të mbyllur, me atë gjysme buzëqeshje, me atë ngadalësi me të cilën e shqiptonte emrin e moshës sime, ai në të vërtet e jetonte pleqërinë e vet të parakohshme.
Ne gabimisht mendonim se ai nuk dinte ta shijonte rininë. E në të vërtet ai ngutshëm i kishte jetuar të gjitha stinët e jetës, andaj edhe me dhembje na shikonte si ne përpëliteshim në baltën e ëndrrave dhe dëshirave, që vetëm e mbulojnë të vërtetën se rruga nuk të çon më përtej vdekjes.
Pastaj gjithmonë e kisha bindjen se i dhimbsesha për diçka. Se e dinte që unë pandal lotoja për ata dy që nuk u rritën. Më bëhej pra se edhe në atë moshë të rinisë së hershme ai e kishte kuptuar se jo e njëjta peshore matë dhembjen për ata që nuk plaken kurrë dhe brengën që të mos u ndodh ndonjë e keqe atyre që jemi duke i rritur.
Pra ai thuajse e dinte se e sotmja është dhembje për atë që na e morri e shkuara dhe frikë për të keqen që do mund të na e sjellë e ardhmja. Mbase edhe prandaj qysh si i ri u deshtë të përballet me betejën më të rëndë: me atë kur bie në gjumë dhe nuk je as Këtu as Atje.
Dhe gjithë që e donin prisnin të del nga ajo kllapi, të kthehet me atë gjusmëbuzëqeshjen dhe të sheh sa shumë e donin njerëzit që prisnin të zgjohet e të rrinte këtu me ne. Aq shumë e donin sa sikur ajo dashuri të mund të bëhej ilaç, me të do të shëroheshin të gjithë të sëmurët e kësaj bote dhe ai përnjëherë do çohej nga shtrati e do vinte t’i nxjerrë të dashurit e vet nga balta e dhembjes!
Duke u hamendur pesë muaj me radhë vallë të rrijë Këtu apo të shkoj Atje, ai për vetveten e zgjodhi më të lehtën, e për të dashurit e vet dhembjen: vendosi të shtegtojë atje ku fëmijët nuk rriten, të rinjtë nuk plaken e të moshuarit nuk sëmuren. (Nga përmbledhja me tregime, ‘Mosha e lajmeve të këqija’)