Ku është Mijallkov, ish-shefi i shërbimit sekret në Maqedoninë e Veriut?!

Ministria e Brendshme është në kërkim të ish-shefit të shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhe se ndaj tij është shpallur fletëarrest ndërkombëtar.

Kërkimi i tij vjen pasi që gjykata dha vendim për arrest shtëpiak deri në shpalljen e verdiktit gjyqësor për rastin “Target – Fortesa”, një lëndë e hetuar për përgjime masive, në të cilën Mijallkov si ish-shef i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) është ndër të ngarkuarit kryesor, përcjell INA. Gjykata ka caktuar për ditën e mërkurë verdiktin gjyqësor për këtë rast.

Mijallkov prej mbrëmë është kërkuar në disa lokacione, ndërsa herën e fundit ishte parë në kafeterinë “Distrikt” pranë hotelit “Marriot”. Në rastin “Target – Fortesa” janë të akuzuar 12 veta, prej të cilëve Mijallkov është ndër të parët, ndërsa pas tij është edhe ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska.

Mijallkov dhe grupi i tij i ngarkuar janë të ngarkuar për përgjimet masive që kanë ndodhur gjatë periudhës 2008-2015 gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. (INA)