Ku do të varroset terroristi Kujtim Fejzullahi, Komuna e Vjenës flet për Express

Përgjegjësit për Varrezat në Austri po refuzojnë që të ndajnë një vend për terroristin me rrënjë shqiptare, i cili vrau katër persona dhe plagosi mbi 20 të tjerë, në mbrëmjen e 2 nëntorit. Bëhet fjalë për Kujtim Fejzullahin nga Maqedonia e Veriut, i cili u vra nga policia austriake. Për vendin ku do të varroset 20-vjeçari dhe gjasat që ai të varroset në Maqedoni, janë deklaruar zyrtarë nga Vjena.

Të hënën, janë bërë dy javë nga dita kur ndodhi sulmi terrorist në Vjenë të Austrisë, sulm që tronditi gjithë botën. Për më shumë se gjysmë muaji, trupi i Fejzullahit nuk është varrosur akoma.

Gazeta Express ka kontaktuar me zyrtarë kompetentë të Vjenës për të marrë informacione se ku dhe kur do të varroset Fejzullahi dhe për mundësinë që varrimi i tij të kryhet në Maqedoninë e Veriut, meqenëse ka edhe shtetësi maqedonase.

Zyrtarë nga Komuna e Vjenës i kanë thënë Expressit, se për vendin ku do të varroset 20-vjeçari do të vendosë familja e tij.

Sipas tyre, deri tash nuk është marrë ndonjë vendim për këtë çështje, meqenëse hetimet e autoriteteve federale janë duke vazhduar ende.

Kundër varrosjes së Fejzullahit atje, kanë dalë edhe mbikëqyrësit e varrezave të myslimanëve në Liesing të Vjenës.

Mbikëqyrësi i varrezave të myslimanëve të Liesing, Ali Ibrahimi, ka dhënë disa arsye për mospranimin e varrimit.

“Ai është një person që ka vrarë njerëz të pafajshëm. Ai na ka dëmtuar të gjithë neve myslimanëve. Askush nuk dëshiron që trupi i vet të shtrihet pranë një vrasësi”, ka thënë Ibrahimi.

Një tjetër alternativë për varrosjen e sulmuesit të Vjenës ishin varrezat e myslimanëve në Altach në Voralberg, por edhe atje nuk është lejuar.

“Varrezat në Altach janë varreza për myslimanët që kanë vendbanim në Voralberg në kohën e vdekjes së tyre. Ne nuk shohim asnjë arsye për ta lejuar të varroset këtu”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Altach, Markus Giesinger.

Ndryshe, në mes të qytetit, 20-vjeçari me rrënjë shqiptare, Kujtim Fejzullahi, vrau katër persona dhe plagosi 23 të tjerë, deri në momentin kur policia austriake shtiu drejt tij, duke e lënë të vdekur.

Sipas raportimeve të mediave austriake, Fejzullahi ishte simpatizant i organizatës terroriste ISIS. Pak para sulmit, ai ishte betuar për besnikëri ndaj kreut të ri të policisë terroriste të ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi.

Ai kishte qenë edhe në shënjestër të shërbimit sekret austriak, meqenëse ishte në mesin e 90 islamistëve që kishin dashur të shkojnë në Siri, porse ishte penguar.

Për anëtarësim në një organizatë terroriste me synimin që të evakuohej në Siri dhe të bashkohej me policinë terroriste të Shtetit Islamik atje, Fejzullahi ishte dënuar me 22 muaj burgim.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ditë më parë ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzullait edhe dy persona të tjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Vjenë.

“Nga lista e policisë austriake, e cila iu dorëzua disa policive, përfshirë edhe policisë sonë, konstatuam se edhe dy persona tjerë, përveç austriakut, gjithashtu kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht K.F. (i lindur në Modling, Austri), A.G. (i lindur në St. Polten, Austri) dhe U.A. (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme u vu menjëherë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe ne po bashkëpunojmë intensivisht me të gjithë elementët që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin me shkrim të MPB-së në Shkup.

Numri total i të arrestuarve për këtë rast ka arritur në 14. /Gazeta Express