Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka ashpërsuar tonet ndaj Malit të Zi, duke përjashtuar mundësinë e arbitrazhit ndërkombëtar për zgjidhjen e kontestit kufitar në gadishullin strategjik të Prevlakës.
Plenkoviq paralajmëroi se Kroacia nuk do të lejojë mbylljen e Kapitullit 31 të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, derisa të zgjidhet çështja e kufirit tokësor.
“Kroacia çdo kontestim të kufirit tokësor do ta interpretojë si pretendim territorial të Malit të Zi ndaj Kroacisë. Po flas në mënyrë eksplicite, e kam fjalën për Prevlakën”, deklaroi Plenkoviq në Bruksel.
Presidenti malazez, Jakov Millatoviq, ndërkohë, e ka cilësuar kushtëzimin e Zagrebit si një veprim që i ngjan shantazhit. Ai paralajmëroi se Podgorica do të propozojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse për kufirin tokësor dhe detar, ndërsa në rast refuzimi, do të kërkojë zgjidhje përmes gjykatës ndërkombëtare ose arbitrazhit.
“Arbitrazhi nuk është opsion për ne, të jemi shumë të qartë”, u përgjigj Plenkoviq, duke përmendur përvojën negative të Kroacisë me kontestin kufitar me Slloveninë.
Që nga viti 2002, në zonën e Prevlakës zbatohet një regjim i përkohshëm kufitar. Zagrebi kërkon që fillimisht të përcaktohet përfundimisht kufiri tokësor, ndërsa delimitimi detar të mbetet objekt i negociatave të mëvonshme.



