Gjiganti rus “Lukoil” drejt duarve amerikane: 2.000 pika karburanti në 16 shtete

Një konsorcium i udhëhequr nga miliarderi amerikan Todd Boehly ka arritur marrëveshje për blerjen e një pjese të madhe të aseteve ndërkombëtare të gjigantit rus të naftës “Lukoil”, i cili ndodhet nën sanksionet amerikane.

Sipas kompanisë investuese “Eldridge”, në konsorcium merr pjesë edhe Korporata Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC), përmes së cilës qeveria amerikane do të fitojë një pjesë të pronësisë.

Marrëveshja, vlera financiare e së cilës nuk është bërë publike, përfshin vendburime të naftës dhe gazit në 11 shtete, me prodhim ditor prej rreth 350 mijë fuçish, tri rafineri në Evropë dhe rreth 2.000 pika karburanti në 16 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë Qendrore.

Transaksioni parashikohet të realizohet përmes shkëmbimit të aksioneve, duke shmangur, sipas investitorëve, pagesat e drejtpërdrejta financiare ndaj Rusisë.

Megjithatë, marrëveshja ende duhet të marrë miratimin e autoriteteve amerikane, pas disa përpjekjeve të mëparshme të dështuara për shitjen e aseteve ndërkombëtare të “Lukoil”.

Todd Boehly njihet si bashkëpronar i klubeve sportive “Los Angeles Dodgers” dhe “Los Angeles Lakers”. Kompania e tij “Eldridge” disponon kapital me vlerë mbi 75 miliardë dollarë.

Nëse finalizohet, marrëveshja do të përbëjë një nga investimet më të rëndësishme të miliarderit amerikan në sektorin energjetik. / CNN