“Kovid-19”, 44 vjeç është mosha mesatare e të infektuarve në RMV

Koronavirusi nuk kursen askënd. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se mosha e pacientëve të infektuar nga Covid-19 varion nga 0 deri më 97 vjet. Në përllogaritjet që nga shpërthimi i pandemisë e deri në fund të korrikut, mosha mesatare e të infektuarve është 44,6 vjet.

Numri më i madh i pacientëve janë mbi 60 vjeç – 2,248 (apo 22.0%) me incidencë 586.5 / 100,000. Incidenca më e lartë specifike prej 714.6 në 100,000 është regjistruar në grup moshën 50-59 vjeç (apo me 1,987 të infektuar). Incidenca më e ulët prej 173.4 dhe 175.4 për 100,000 banorë është regjistruar tek fëmijët e moshës 0-9 dhe 10-19 vjeç, ku janë raportuar përkatësisht 397 dhe 439 raste – njoftojnë Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, Kreu i Komisionit për sëmundje infektive Zharko Karaxhovski theksoi se virusi është i njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë që para 3-4 muajve. Megjithatë, sipas tij, numër më i madh i gjeneratave të reja është infektuar në pasqyrë të rënduar klinike. Karaxhovski theksoi se virusi nuk përzgjedh nëse dikush është mbi moshën 60 vjeçe apo nën 30 vjeçe, madje shtoi se të rinjtë të pa disiplinuar nuk iu përmbahen rekomandimeve shëndetësore.

Është fakt se në fillim të epidemisë gjeneratat mbi 60 vjeç kanë gjetur vdekjen nga kjo sëmundje, tani tek gjenerata më e re ka ndryshuar struktura klinike, kështu që edhe të rinjtë në 30-40 vjet tanimë tanë të sëmurë dhe një pjesë e madhe e tyre janë të hospitalizuar – tha Zharko Karaxhovski, Kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Deri në fund të korrikut në vend janë realizuar mbi 100 mijë teste, prej të cilëve janë diagnostikuar mbi 10,5% pozitiv me CoVid-19 në vendin tonë./Alsat