Kovaçevski uron pensionistët: Do të kenë rreth 12.000 denarë më shumë në fund të vitit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka uruar pensionistët pas votimit të ndryshimeve ligjore me çka, pritet rritja e pensioneve, përcjell TV21. Kovaçevski thotë se me rritjet e parapara, mesatarisht çdo pensionist në fund të vitit do të ketë 12 mijë denarë më tepër në llogarinë personale.

“Urime për pensionistët! Ndryshimet ligjore që do të sigurojnë pensione më të larta dhe rritje të vazhdueshme në të ardhmen, janë votuar sonte në Kuvend. Rreth 330.000 pensionistë do të kenë pensionet historikisht më të larta ndërsa mesatarisht në buxhetin e brendshëm do të kenë rreth 12.000 denarë më shumë në fund të vitit. Njëkohësisht, me mbështetjen financiare të siguruar për 3 muajt e ardhshëm, pensionistët do të kenë edhe 3000 denarë shtesë për t’u përballur me pasojat e krizës”, ka shkruar mes tjerash Kovaçevski.