Kurti: Kosova në rrezik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën turke “Milliyet”, ka paralajmëruar se Beogradi dhe serbët në Bosnjë, mund ta përdorin Kremlinin për të përhapur konflikt në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka përsëritur kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.

“Unë besoj se Serbia dhe entiteti serb në Bosnje mund të përdoren nga Kremlini për të përhapur konfliktin. Sepse ata duan të prodhojnë një Konferencë të re të Jaltës që shkakton ndarjen për të krijuar një ndikim të dhunshëm. Prandaj, unë mendoj se gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, por Kosova në veçanti janë në rrezik”, tha ai.

Kurti ka shtuar se Serbia po kërkon para nga BE-ja e armë nga Rusia.

“Serbia ka më shumë se 10 vjet që kërkon paratë e BE-së dhe armët e Rusisë. Gjithashtu vazhdon të blejë pajisje ushtarake nga Rusia dhe Bjellorusia. Shpresoj që BE-ja t’i thotë Beogradi sa më shpejt që fondet e BE-së nuk do të jepen pa vlerat e BE-së” është shprehur ai. “Serbia ka ndarë 3 për qind të të ardhurave të saj kombëtare për pajisje ushtarake dhe trajnime. Ka 14 avionë luftarakë Mig-29, 8 prej të cilëve janë dhënë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Lidhjet midis Serbisë dhe Rusisë janë të gjera dhe të thella, mendoj se për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme afatgjatë, e gjithë Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në BE dhe NATO.

Kurti ka falënderuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen që ka dhënë për anëtarësimin e Kosovës, në NATO.

“Mbështetja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për anëtarësimin e Kosovës në NATO është shumë e rëndësishme për ne dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Ne jemi gjithashtu shumë mirënjohës për rolin e Turqisë para, gjatë dhe pas pavarësisë së Kosovës. Turqia është ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë. Në të gjitha mjediset ndërkombëtare vota e Turqisë ka qenë gjithmonë në favor të Kosovës. Në këtë aspekt, asnjëherë nuk ka pasur një situatë që Kosova të donte diçka dhe Turqia të mos e përkrahte. Do të dëshironim shumë t’i thellojmë dhe zgjerojmë marrëdhëniet tona me Turqinë.”