Kosovë, Ferizaj futet në karantinë

Ministria e Shëndetësisë  në Kosovë ka njoftuar të shtunën se edhe Komuna e Ferizajt do të futet në karantinë.

Lajmin për REL e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi.

“Me propozim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë sot vendim për të shpallur Komunën e Ferizajt – zonë karantine. Në krye të detyrës është shtabi emergjent që po punon me kapacitete të plota. Kemi një lutje apo apel për qytetarët ferizajas që të qëndrojnë në shtëpi duke mos rrezikuar as veten as familjet e tyre e as shoqërinë në përgjithësi. Janë marrë mostrat edhe nga 65 persona të tjerë në Ferizaj, po presim rezultatet nga IKShPK”, ka thënë Sherifi.

Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu është thënë të ketë pranuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky vendim ka ardhur pasi të premten është raportuar për 18 persona të infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Deri më tani në këtë qytet janë infektuar 20 persona me këtë virus, derisa në gjithë Kosovën është raportuar për 250 persona të prekur nga kjo sëmundje, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.