Kosova ka një marrëveshje – nëse Perëndimi mund ta shpëtojë atë

Shkruan: Edward P. Joseph

Një marrëveshje historike në Ballkan ende ka nevojë për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës.

Marrëveshje ose jo marrëveshje? Kjo është pyetja që po e trazon Ballkanin.

Pas një samiti të mbushur me presion gjatë së shtunës në mes të krerëve të Kosovës dhe Serbisë, shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, bëri shpalljen, “Kemi marrëveshje”, një që premton se çon të dy kundërshtarët drejt normalizimit përfundimtar të raporteve.

Por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq refuzoi të nënshkruajë tekstin e ndërmjetësuar ambicioz dhe më pastaj ka bërë qëndrim kualifikues dhe për më tepër refuzon përmbushjen e angazhimeve kyçe.

A mundet Vuçiq t’i injorojë obligimet e Beogradit për implementimin e aneksit të dalë nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, ashtu sikurse edhe tërë marrëveshjet e negociuara në Bruksel që prej 27 shkurtit, të cilat presidenti serb gjithashtu refuzon t’i nënshkruajë?

Pse kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të vendosë menjëherë garanci të paspecifikuara për serbët e Kosovës nëse Kosova nuk e di sigurt se Serbia do ta mbajë deri në fund ujdinë? A e njeh Serbia faktikisht Kosovën sipas marrëveshjes, apo kjo varet nga hapa të mëtejmë?

Me pak fjalë, një re pasigurie qëndron sipër negociatave më të rëndësishme në Ballkan në më shumë se 20 vjet. Çështja e Kosovës shkaktoi shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë më 1990, duke ekspozuar paaftësinë e Bashkimit Evropian për të trajtuar problemet e sigurisë në oborrin e vet. Përplasja midis Beogradit dhe Prishtinës është në qendër të luftës transatlantike shumë dekadash për të konsoliduar rajonin në rendin perëndimor, duke krijuar mundësi të shumta për Rusinë dhe Kinën.

Diplomacia torturuese perëndimore në mes të Serbisë dhe Kosovës me siguri doli gjatë takimit të Presidentit të Kinës, Xi Jinping në vizitën treditore në Moskë. Çfarëdo qofshin dallimet e të dy autokratëve për luftën në Ukrainë, Pekini dhe Moska përfundimisht janë rreshtuar kundër pavarësisë së Kosovës. Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Xi do t’i koordinojnë përpjekjet për ta minuar marrëveshjen, duke e lënë Kosovën në harresë, rajonin në trazira dhe Serbinë si partner të përbashkët strategjik të të dyjave, Rusisë dhe Kinës.

Duke pasur parasysh se çfarë rrezikohet nëse marrëveshja dështon, kjo nuk është koha për deklarata përgëzuese dhe retorikë standarde për përgjegjësitë e palëve. Tani është Washingtoni dhe Brukseli – jo vetëm Beogradi dhe Prishtina – që duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, veçanërisht duke pasur parasysh paqartësitë e toleruara në marrëveshje. Tre hapa janë jetik për të krijuar një bazë për sukses.

Fillimisht, BE-ja duhet të heqë pretendimin se është vetëm një lehtësues midis palëve – dhe Washingtoni duhet të heqë pretendimin se është veç një mbështetës që ndjek udhëheqjen e BE-së. Marrëveshja në vete përfshin “Propozimin e BE-së” në titullin e saj – i mbështetur plotësisht dhe i shtyrë nga Shtetet e Bashkuara.

Tash për tash, Borrell pohon se zbatimi varet nga palët, duke reduktuar rolin e BE-së në monitorim. Në fakt, asnjë palë nuk ka më shumë detyrime formale nga marrëveshja Bruksel-Ohër sesa vetë BE-ja. Janë jo më pak se pesë detyra të veçanta që BE-ja ka pranuar. Asnjë nuk është më i rëndësishëm se angazhimi i dyfishtë i BE-së për të “kryesuar” një komitet të përbashkët për të siguruar dhe mbikëqyrur zbatimin e “të gjitha dispozitave”. Sipas një afati të rreptë 30-ditor për të krijuar Komitetin e Përbashkët të Monitorimit, Brukseli do të duhet të tregojë guxim të pazakontë. Zbatimi kërkon veprim vendimtar – jo paqartësi të krijuar për ta shmangur atë.

Angazhimi aktiv i premtuar i Washingtonit në këtë test të hershëm të zbatimit është kyç. Administrata e Bidenit vazhdimisht i bëri presion Qeverisë së Kosovës për autonomi për komunitetin serb të Kosovës. Kërkesa e Beogradit për “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” nuk ka të bëjë fare me mirëqenien e serbëve të Kosovës. Gjithçka lidhet me cenimin e sovranitetit të Kosovës. Realiteti është se autonomia është e parakohshme, duke pasur parasysh ndikimin e Serbisë mbi politikën serbe të Kosovës dhe armiqësinë aktive të Beogradit ndaj fqinjit të vet.

Pasi i është bërë presion Kosovës që të heqë dorë nga leva e saj me Serbinë, barra bie mbi Shtetet e Bashkuara dhe BE-në që ta kufizojnë fushën e “vetëmenaxhimit” në nevojat e qytetarëve serbë të Kosovës, jo me ambiciet e Beogradit apo përfaqësuesve të tij në veriun e Kosovës. Serbët e Kosovës kanë nevojë të madhe për autonomi – nga Serbia po aq sa brenda Kosovës – në mënyrë që të përcaktojnë një të ardhme plotësisht të suksesshme në vend.

E dyta, BE-ja duhet të eliminojë çdo dyshim të vazhdueshëm për natyrën detyruese të marrëveshjes dhe të gjitha dispozitave të saj. Të shtyrë nga komentet e nxitura në internet, shqiptarët e Kosovës janë të brengosur se Vuçiq mund të ikë nga marrëveshja sepse nuk e ka nënshkruar atë, ose thjesht të zgjedhë ato dispozita që dëshiron t’i zbatojë. Zyrtarët perëndimorë e kanë kënaqur Vuçiqin në shpërbërjen e tij për shkak të nevojës së autokratit për t’u përballur me kritikët vendas. Nëse Vuçiqit i lejohet të shtrembërojë kushtet apo edhe statusin e marrëveshjes, shanset e zbatimit humbasin.

Qytetarët serbë meritojnë ta dinë të vërtetën – dhe Vuçiq mund t’i mbijetojë asaj. Kur fjala është për traktatet dhe marrëveshjet e tjera ndërmjet shteteve, ajo që ka rëndësi është pëlqimi për t’u lidhur sipas ligjit ndërkombëtar. Siç e ka pranuar Vuçiq, një nënshkrim mund ta manifestojë këtë, por nuk është thelbësore. Neni 11 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e bën të qartë këtë: “Pëlqimi i një shteti për t’u lidhur nga një traktat mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikim, pranim, miratim ose aderim, apo çfarëdo mjeti tjetër nëse ka pasur pajtueshmëri”.

Teksti i qartë i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE – marrëveshja bazë dhe aneksi – tregojnë synimin e qartë të palëve për t’u lidhur në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në pikën e dytë të aneksit, palët “zotohen plotësisht t’i respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe aneksin dhe t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.

Kjo është tërësisht ndryshme nga marrëveshja e Washingtonit e vitit 2020 që u nënshkrua nga Vuçiq dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë kur në krye të saj ishte Donald Trump. Ajo marrëveshje jodetyruese as nuk i emërtoi siç duhet palët, ndërkohë që marrëveshja Bruksel-Ohër i referohet hapur Kosovës dhe Serbisë dhe i etiketon “Palët kontraktuese”. Për dallim nga marrëveshja e Trumpit, tekstet Bruksel-Ohër janë koherente. Një preambulë kornizon çështjet thelbësore ligjore dhe politike. Aneksi i Ohrit përfshin disa afate kohore dhe një mekanizëm zyrtar të zbatimit – që të gjitha dëshmojnë qëllimin e qartë për t’u lidhur me ligj.

Si ndërmjetës i zëvendësuar nga OKB-ja, BE-ja është plotësisht e autorizuar të përcaktojë nëse Vuçiq dhe Kurti kanë pranuar të dy dokumentet pa rezerva. Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Departamentit të Shtetit të ShBA-së që mbikëqyr Ballkanin Perëndimor, ka mbështetur qëndrimin e BE-së, duke këmbëngulur se marrëveshja është “ligjërisht e detyrueshme”.

Fjalët janë të pamjaftueshme. Brukseli duhet të ndjekë dhe të ndryshojë zyrtarisht proceset e pranimit në BE për Serbinë dhe Kosovën për të reflektuar detyrimet e tyre të reja. Për t’ua qartësuar palëve – dhe Rusisë e Kinës – se nuk ka asnjë paqartësi në lidhje me marrëveshjen Bruksel-Ohër, BE-ja duhet ta regjistrojë menjëherë atë në Sekretariatin e OKB-së. Kjo është plotësisht në përputhje me thirrjen e vetë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për “çdo traktat ose marrëveshje ndërkombëtare, pavarësisht nga forma dhe emri i tij përshkrues … sa më shpejt të jetë e mundur [për] t’u regjistruar. Kjo aplikohet edhe për një “marrëveshje që është duke u zbatuar përkohësisht përpara hyrjes së saj në fuqi”.

Regjistrimi i shpejtë do t’i shërbejë Beogradit dhe Prishtinës si njoftim që BE-ja nuk do të tolerojë kthimin e përmbajtjes së marrëveshjes – siç ka bërë Vuçiq, duke mohuar se Kosova ka një rrugë drejt anëtarësimit në OKB. Beogradi nuk duhet të ketë shqetësime me regjistrimin në OKB, duke pasur parasysh se Serbia filloi procesin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2008 që përfundimisht i dha BE-së mandatin e saj për dialogun me Kosovën në vitin 2010. Në të vërtetë, Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e vitit 2010, e bashkësponsorizuar nga Serbia, krijon një mundësi të nënkuptuar që BE-ja të raportojë në OKB për progresin në dialog.

Përfundimisht, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj partnerëve evropian për të trajtuar zbrazëtirën më të madhe në marrëveshje: mohimin e Kosovës për çdo rrugë të vërtetë evropiane. Pesë shtete të BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – refuzojnë me kokëfortësi ta njohin Kosovën, duke e penguar Prishtinën edhe të aplikojë për anëtarësim në BE ose NATO. Mbetet plotësisht e paqartë nëse njohja ‘de facto’ e Serbisë në marrëveshjen Bruksel-Ohër do t’i shtyjë mosnjohësit të ndryshojnë qëndrim. Këtu kanë rëndësi formalitetet. Nënshkrimi i Serbisë dhe, akoma më mirë, ratifikimi i marrëveshjes mund t’i shtyjë palët që të bëjnë hapin e vonuar dhe ta njohin Kosovën.

Gjithçka është tek koha. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja tani e kanë përkushtuar kredibilitetin e tyre ndaj një marrëveshjeje që Rusia dhe Kina kanë çdo interes ta përmbysin. Marrja e vetëm katër mosnjohësve të NATO-s – e cila përjashton Qipron e linjës së ashpër – për të ndryshuar qëndrimin e tyre do ta bënte marrëveshjen Bruksel-Ohër një ndryshim loje; duke e lënë Kosovën vetëm pjesërisht të njohur në Evropë, dhe do ta linte në vend lojën e shëmtuar të tanishme. Nëse procesi zvarritet deri në vitin 2024, frika është se një Washington i shpërqendruar do të humbasë fokusin, duke lejuar që procesi të kalojë përsëri në menaxhimin e krizave.

Administrata Biden duhet të mendojë jashtë kutisë. Një qasje është të bindësh Ukrainën të njohë Kosovën në bazë të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke i vënë mosnjohësit me një sfidë të vështirë: Nëse vendi, kufijtë e të cilit po shkatërrohen nga një armik me armë bërthamore, mund ta njohë Kosovën, pse nuk munden ata si Spanja që të veprojnë ngjashëm?

Koordinimi I ngushtë transatlantik dhe fokusi e kanë sjellë Serbinë dhe Kosovën në cep të një përparimi. Me pak më shumë përpjekje dhe imagjinatë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, i tërë rajoni mund ta kalojë pragun, duke e izoluar përgjithmonë Ballkanin nga ndikimi rus dhe kinez.

Edward P. Joseph ligjëron mbi menaxhimin e konflikteve në Johns Hopkins School. Ai ka shërbyer dhjetra vjet në Ballkan, përfshirë ushtrinë amerikne si dhe ka qenë Zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë.