Po kalojnë tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë dhe krijimi i qeverisë së re nuk duket së është afër. A po shkon Kosova drejt në krize politike?
Kosova në gjysmën e dytë të vitit 2019 ishte pa institucione funksionale, që nga dorëheqja Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pasiqë ky i fundit u ftua për intervistim si i dyshuar nga Gjykata Speciale për Krime Lufte. Fundi i vitit 2019 dhe kalimi në vitin 2020, Kosovën po e gjen pa qeveri, ndonëse zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën me (06.10). Dy partitë politike që fituan më së shumti vota, lëvizja Vetëvendosje që doli partia e parë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse për një kohë të shkurtër harmonizuan programin qeveritar, ato nuk po arrijnë të merren vesh për ndarje të posteve kyqe dhe vendi tashmë po rrezikon të hyjë në një krizë politike dhe institucionale. Tre herë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ftoi liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, që të diskutojë dhe ta mandatojë atë për krijimin e qeverisë, por Kurti nuk po i shkon në takim, për faktin që siç thonë analistët Kurti akoma nuk ka arritur ta sigurojë shumicen e nevojshme të deputetëve për ta formuar qeverinë. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, “Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend”, në këtë rast Vetëvendosjen.
Ftesën e fundit
Presidenti ja bëri me datën (30.12) ftesën e fundit liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Por Kurti në përgjigjen zyrtare i tha Presidentit se ata “mund të takohen me datën 06 janar të vitit të ardhshëm”. Me këtë u konfirmua së viti 2020 Kosovën e gjen pa qeveri edhe pse pesë ditë më parë Kuvendi i Kosovës u konstituua ku u zgjedh kryetari dhe kryesia e Parlamentit. E kjo situatë ku kryetar i Kuvendit u zgjodh përfaësuesi i Vetëvendosjes Glauk Konjufca i komplikoi bisedimet VV-LDK. Sipas zyrtarëve të LDK-së që nuk ishin dakorduar paraprakisht me Vetëvendosjen për kreun e Kuvendit, i ktheu të gjitha bisedimet për koalicion qeverisës në pikën zero. Kështu thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Janë hedhur poshtë të gjitha diskutimet paraprake. Situata tash ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese të zgjedhjeve”, thotë Lutfi Haziri.
Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje politikës kosovare që të ulën të merren vesh dhe ta formojnë qeverinë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, takoi të hënën ndarasi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sic u tha “për t’u informuar lidhur me ecurinë e negociatave që po synohet një marrëveshje e mundshme koalicioni qeverisës”.
Angazhimi diplomatik
Edhe ambasada britanike në Kosovë kërkoi nga lëvizja Vetëvendosja dhe LDK që të tejkalojnë dallimet dhe ta formojnë qeverinë. Përmes një komunikate për medie, ambasada britanike thotë se pas më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re dhe kjo është një çështje urgjente.
“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike. Më tej kjo ambasadë thotë se respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku.
“Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetuten do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet në fund të njoftimit.
Krijimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe qeverisë kanë kërkuar gjatë vizitës së fundit edhe të deleguarit e Gjermanisë, Peter Beyer dhe Christian Schmidt.
“Të gjithë politikanët e kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që e kanë pas zgjedhjeve, për të themeluar qeveri stabile. Ata e dinë që koha po mbaron, prandaj duhen gjithsesi negociata të suksesshme. Ne nuk duam të ndërhyjmë në këto negociata, sepse nuk është në mandatin tonë, por kemi ardhur për t’i dëgjuar dhe ndarë disa porosi. Negociatat për koalicion nuk duhet të humbin në detaje teknike. Ndjemë se ka vullnet politik për ta formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve. Asnjëri nuk duhet të mundohet ta dobësojë tjetrin, por të ketë qasje profesionale”, tha Peter Beyer. Ndërsa Christian Schmidt bëri të ditur se ata do ta informojnë edhe kancelaren Merkel për zhvillimet në Kosovë, sepse “ajo është e interesuar çfarë po ndodhë këtu”.
“Nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Për ta ilustruar këtë, një president federal gjerman kur e patën pyetur nëse e don vendin, ai ka thënë se e dashuron gruan e vet. Për një koalicion të mirëfilltë ekziston një rregull i artë. Në qoftë se bisedimet për koalicione janë në vazhdim e sipër, rregulla është telefoni, jo mikrofoni dhe mediet. Nuk duhet folur derisa ta shohim tymin e bardhë”, tha Christian Schmidt, duke cituar një fjali të ish kancelarit gjerman Helmut Kohl: “Në politikë duhet të ketë mirëbesim dhe përgjegjësi”.
Sfidat e Vitit të Ri
Viti 2020 e gjen Kosovën pa qeveri dhe pa marrëveshje për koalicion. Ndërkohë që sfidat që e presin vendin janë tepër të mëdha. Disa prej këtyre sfidave ua ka kujtuar autoriteteve kosovare edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, në një editorial të saj për fundvit. E sfida më e madhe nga perspektiva ndërkombëtare është dialogu me Serbinë dhe normalizimi i raporteve mes këtyre vendeve.
“Vazhdimi i diaogut me Serbinë është në interes të Kosovës. Sa më shpejtë të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aq më shpejtë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara në të gjitha drejtimet”, shkruan Apostolova. Ajo kërkon po ashtu që sa më shpejtë të formohet qeveria e Kosovës në mënyrë që t’i bindë vendet anëtare ta marrin vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, një vendim vendimtar tash duhet të merret nga shtetet e Bashkimit Evropian, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara. Shpresoj që autoritet kosovare të punojnë ngushtë dhe t’i bindin vendet e BE-së që tash është koha që Kosovës t’i liberalizohen vizat”, shkruan Natalya Apostolova.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është premtuar disa herë nga udhëheqësit politik kosovar. Kjo akoma nuk ka ndodhur, por sipas deputetit nga Bundestagu gjerman Peter Bayer që ishte 10 ditë më parë për vizitë në Kosovë, mund të ndodhë gjatë vitit 2020 ndonëse ai nuk preferon të japë data sikurse klasa politike kosovare./DW/