Koronavirusi, kopshti zoologjik në Gjermani merr masa për mbrojtjen e kafshëve

Një kopsht zoologjik në Gjermani po zbaton të njëjtat masa distancimi për të mbrojtur kafshët nga koronavirusi njësoj si njerëzit. Gorillat janë veçanërisht në fokusin e stafit pasi edhe më parë ka pasur raste të ngjitjes së viruseve te to nga njeriu.

Disa kopshte zoologjike po marrin masa për të mbrojtur kafshët e tyre gjatë krizës së koronavirusit.

Kujdes i shtuar po tregohet për gorillat, të cilat edhe pse nuk është provuar se e bartin sëmundjen, shkencëtarët besojnë se ato mund të infektohen pasi vijnë nga një rend i majmunëve sikurse njeriu.

Në kopshtin e qytetit të Rostokut në Gjermani, stafi është veçanërisht i shqetësuar për një gorillë foshnjë të lindur më 16 mars, dhe për këtë arsye po zbaton masa të distancimit social, ka ndaluar vizitat po shërben duke përdorur mjete mbrojtëse.

“Zoonoza apo transmetimi i sëmundjeve nga njeriu te kafshët dhe anasjelltas, mbetet një temë kryesore në historinë e majmunëve. Tani kemi një ekip më të vogël që po u shërben majmunëve të mëdhenj dhe kur punojmë me ta, kur i ushqejmë, gjithmonë mbajmë maska në fytyrë, edhe dorashka, ndërsa duart i dezinfektojmë më shumë sesa më parë,” tregon një kujdestar kafshësh.

Me aplikimin e masave shtesë në kopshtin zoologjik, është shtuar edhe puna e tyre për të balancuar mungesën e kontaktit me kafshët e tjera apo me vizitorët.

“Kafshët e vënë re këtë. Arinjtë polarë por edhe gorillat shkojnë në dritare dhe ulen atje që të komunikojnë. Kur u zgjat dorën nga xhami ato bëjnë të njëjtën gjë kur duan, por mungesa e këtij komunikimi e ka rritur pak mërzinë te ta,” shprehet drejtori i kopshtit zoologjik të Rostokut.

Virusi që shkakton Covid-19 besohet se është shpërndarë nga kafshët te njerëzit dhe në Hong-Kong ka infektuar një numër gjitarësh.

Këtë javë, sëmundja preku edhe një tigër në një kopësht zoologjik të Nju-Jorkut, duke konfirmuar për herë të parë se infeksioni mund të përcillet nga njeriu te kafsha.