Koronavirusi, epidemiologët: Të mos ketë tubime edhe shtatë ditë

Në vend deri më tani mbetet vetëm një paciente e sëmurë me koronavirus. Rastet e fundit me dy shtetasit e huaj janë negativë, por sugjerimi i epidemiologëve është që të vazhdohet rekomandimi edhe një javë për mosmbajtjen e tubimeve masive publike dhe ndeshjeve sportive pa publik.

Nga Ministria e Shëndetësisë dje dolën me informatë se testimet tek dy shtetasit e huaj, njëri nga Singapori dhe tjetri nga Australia, janë negative. Pas paraqitjes nga hoteli në të cilin qëndronin në qendrën e Shkupit, epidemiologët nga Qendra për shëndet publik morën kampione për testim në dhomën e tyre të hotelit. Ata do të dërgohen në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile për trajtim të përshtatshëm për diagnozën. Dy shtetasit e huaj mbetën të izoluar në dhomën e hotelit deri sa u morën rezultatet.

Test kontrollues dje është bërë edhe mbi të vetmen paciente të sëmurë nga koronavirusi, si dhe ndaj vajzës së saj.

“Testi i pacientes është negativ në koronavirus, që do të thotë që po bie infektimi i saj, por në përputhje me procedurën, do të përsëritet për 48 orë. Në Kovid-19 është negative edhe vajza e saj, informojnë nga Ministria.

Pas paraqitjes së koronavirusit në Itali, vendi i ka ngritur masat parandaluese në nivel më të lartë, ndërsa çdo ditë takohet edhe Komiteti për sëmundje infektive dhe Komisioni për monitorimin dhe informimin për situatën me koronavirusin. Rekomandimi i tyre i fundit është të vazhdohet rekomandimi për të mos mbajtur tubime masive dhe gara sportive, për të cilat qeveria do të duhet të diskutojë në seancë nesër.

Përveç masave parandaluese të zbatuara në aeroporte dhe në vendkalimet kufitare në vend dhe rekomandimet për qytetarët, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë udhëtarët e huaj do të marrin mesazhe me rekomandimin për të thirrur në numrin e telefonit të Institutit të Shëndetit Publik, nëse kanë simptoma të virusit.

Sipas informatave që dje në pres-konferencë i dha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke iu referua konsullatës tonë në Itali, ekziston një interes i rritur për kthimin e qytetarëve tanë në vend. Po bëhen përpjekje që kjo të bëhet në mënyrë të organizuar në mënyrë që të fitohet një pasqyrë më e mirë për situatën.

Në Evropë, numri i rasteve të koronavirusit po rritet dita ditës. Informacionet e fundit që dje i plasoi ministri Filipçe, tregojnë se deri tani janë prekur 4.250 persona, që është 1.000 më shumë se një ditë më parë.

Varësisht zhvillimit të situatës, siç njoftoi Filipçe dje, do të shqyrtohen masa mbrojtëse edhe më rigoroze.