Shkup e Kumanovë në fokus të aksionit antiterrorist: 5 të arrestuar, një në kërkim!

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ASK), ka realizuar një aksion të madh antiterrorist, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, ndërsa një tjetër është në kërkim.

Sipas njoftimit të MPB-së, aksioni kishte për qëllim zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve që lidhen me veprat penale „Terrorizëm“ dhe „Organizatë terroriste“.

Hetimi kishte nisur pas informacioneve të siguruara nga ASK-ja përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Informacionet, të përcjella në fillim të këtij viti, kishin të bënin me gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të moshës 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova.

Me urdhër gjykate, policia ka kryer kontrolle në katër lokacione, ku janë arrestuar katër persona. Një tjetër është arrestuar në Greqi dhe më pas është dorëzuar te autoritetet e vendit. Personi i gjashtë, për të cilin dyshohet se ndodhet jashtë shtetit, është ende në kërkim.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar:

* Telefona mobilë dhe laptopë;
* Kompjuterë personalë dhe pajisje USB;
* Fletore me kontakte;
* Një skicë me lokacion të shënuar;
* Armë zjarri dhe municion, një pjesë pa leje përkatëse.

Sipas MPB-së, hetimet kanë zbuluar lidhje të ndërsjella mes të dyshuarve, si dhe lidhje me shtetas të huaj, përfshirë persona të ndërlidhur me të ashtuquajturat rrjete përfaqësuese (proxy networks).

Autoritetet pretendojnë se të dyshuarit kishin pasur qëllim të kryenin një akt terrorist në territorin e një shteti tjetër.

Për rastin është njoftuar Prokuroria Publike, ndërsa ndaj pesë personave janë caktuar masa përkatëse nga gjyqtari i procedurës paraprake.

MPB-ja bëri të ditur se nga fundi i vitit 2024 e deri më tani, në bashkëpunim me ASK-në, ka vepruar në dhjetë raste që kanë përfshirë gjithsej 22 persona.