Korona virusi është më i ‘rrezikshëm’ se uria dhe luftërat që marrin jetën e miliona fëmijëve sepse na rrezikon edhe neve!

Shkruan: Kim Mehmeti

A e dini pse Korona virusi është më i rrezikshëm se sa, për shembull, uria nga e cila vdesin me miliona fëmijë në vit? Sepse ky virus na rrezikon edhe neve, e jo si mungesa e ushqimit dhe luftërat, që ua marrin shpirtin vetëm atyre atje dhe diku larg nesh!

Dhe sot kur duhet t’u përmbahemi udhëzimeve të institucioneve shëndetësore që ta përballim këtë epidemi që ka pushtuar botën, duhet të rikujtojmë se asnjë virus nuk e rrezikon këtë planet dhe gjininë njerëzore në të aq sa ai i quajturi – Njeri! Dhe ky ‘virus’ pamëshirshëm e ndot, e helmon dhe e shkatërron shtëpinë e vetme dhe të përbashkët që na e ka dhuruar Zoti – Natyrën! Kundër këtij ‘virusi’ prej moti është zbuluar ilaçi, por ai gjithmonë ka munguar – Vetëdija!

Pra sot duhet të rikujtojmë se uria vret më shumë njerëz se sa gjitha viruset dhe sëmundjet tjera së bashku, se përderisa harxhohen me miliona dollarë për të zbuluar vaksinën kundër korona virusit, ‘ilaçi’ kundër urisë qëmoti ekziston, por atë askush nuk e përdor: ushqimi të cilin ne e hedhim!