Dibër, tetë punonjës shëndetësorë në izolim shtëpiak

Në Dibër dhe Qendër Zhupë tani për tani nuk ka raste të tjera të dyshimta me koronavirus, por për shkak të kontaktit me çiftin bashkëshortor te të cilët është konfirmuar Kovid-19 në izolim shtëpiak janë tetë punonjës shëndetësorë,. konfirmoi Baki Halili drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër.

Bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë të cilët kanë pasur kontakt me çiftin bashkëshortor nga fshati Balanci, Komunën Qendër Zhupë, te të cilët koronavirusi ishte konfirmuar të premten.

“Nga spitali në Dibër në izolim shtëpiak janë dy mjekë, një laborant dhe një teknik radiografik, derisa nga pika shëndetësore në Qendër Zhupë, dy mjekë dhe dy teknikë mjekësorë. Të gjithë ata kanë pasur kontakt me tashmë të prekurit”, tha Halili.

Sipas tij në.dy ditët e fundit është kryer dezinfektim i plotë të ambienteve në pikën shëndetësore në Qendër Zhupë, ku për herë të parë janë paraqitur çifti bashkëshortor për shërbim, pas kthimit të tyre nga Bresha, Itali, më 27 shkurt.

Shton se paraprakisht dezinfektim është bërë në të gjitha repartet në spitalin e Dibrës ku ka qëndruar çifti bashkëshortor dhe se të punësuarit rreptësisht i respektojnë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai u bën apel qytetarëve t’i respektojnë këshillat për shmangie nga tubimet dhe mirëmbajtjen e higjienës.