Konvertimi i patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani, pritet heqja e provimeve shtesë

Së shpejti pritet vendimi për konvertim të patent shoferëve të Kosovës pa provime shtesë në Gjermani.

Këtë e ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Gjermani, përcjell Klankosova.tv.

“Me qëllim të informimit korrekt dhe në kohë, dëshirojmë t`ju vëmë në dijeni se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Republikës Federal të Gjermanisë i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) me datë 29 dhjetor 2021, të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e patentë-shoferëve, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Moldavisë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim tregohen edhe kategoritë për të cilat parashihet konvertimi i patentë shoferëve.

“Për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patentë-shoferëve pa provime shtesë në këto kategori: AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Kjo projekt-rregullore pritet të shqyrtohet në seancat e radhës në Bundesrat dhe sapo të konkretizohet data e shqyrtimit do t`ju informojmë në kohë përmes kanaleve tona të komunikimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Gjermani.