Kontrolle në 200 kompani, disa janë dënuar! Autoritetet thonë se nuk do të kemi problem me vajin

Inspektorët e Tregut kanë hyrë në 200 kompani për të kontrolluar çmimet e produkteve, mallrave, se a janë në përputhje me vendimet qeveritare. Drejtoresha Aneta Simeska Dimoska tha se 41 subjekte kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për tregti dhe 19 nuk kanë respektuan vendimin për shërbime të veçanta në tregti. Ndërkaq 18 kompani kanë marrë gjoba sepse nuk e kanë respektuar kufizimin e marzhës të sjellë nga Qeveria. Inspektorët kanë hasur në markete të cilat e kanë blerë vajin me çmime të vjetra ndërsa e kanë shitur me çmime të rritura, thotë Dimoska. E sa i përket sasive të këtyre produkteve, drejtoresha bëri të ditur se ka sasi të mjaftueshme.

“Vetëm një nga prodhuesit, ku ka përfunduar kontrolli, ka vaj të rafinuar, i cili është gati për ambalazhim, në sasi të mjaftueshme për tre muaj. Ne kemi lëndë të parë shtesë për tre muaj. Për momentin nuk kemi problem me mungesën e vajit. Ka rezervë prej 100 mijë litrash, të cilat do t’u shpërndahen tregtarëve këto ditë në përputhje me kërkesat. Nga pikëpamja e çmimit është brenda parashikimeve me shpenzime minimale të rritura sa i përket mënyrës se si është shitur vaji në periudhën e kaluar, përafërsisht rreth njëqind denarë”, tha Aneta Simeska Dimoska – drejtoreshë e ISHT-së.