Konsorciumi amerikano-zviceran mund të përfundojë blerjen e Chelseat deri të hënën

Klubi anglez, Chelsea mund të shitet nga pronari rus, Roman Abramovich, që në ditën e hënë, të javës së ardhshme.

Sipas mediumit The Mirror, besohet se një konsorcium amerikano-zviceran është i bindur se do të bjerë dakord për një marrëveshje me oligarkun rus, i cili është i etur për një transaksion të shpejtë, gjatë fundjavës.

Konsorciumi thuhet se do të kryesohet nga Hansjorg Wyss, një miliarder zviceran i cili kohët e fundit pretendoi se i ishte ofruar mundësia për të blerë Chelsean nga Abramovich.

Megjithatë, zvicerani nuk do të jetë i vetmi që do të jetë në krye të klubit nga Stamford Bridge.

Figura tjetër e konsorciumit mendohet të jetë Todd Boehly, një biznesmen amerikan i cili më parë u përpoq të blinte Blutë për 3 miliardë dollarë – rreth 2.25 miliardë funte apo 2.7 milionë euro në vitin 2019.

Negociatat midis Abramovich dhe konsorciumit thuhet se janë ende duke u zhvilluar dhe besohet se marrëveshja mund të arrihet.

Miliarderi rus besohet se dëshiron 4 miliardë funte, por do të dëgjojë të gjitrha ofertat mbi 3 miliardë funte.

Thashethemet sugjerojnë se Abramovich tashmë ka refuzuar një ofertë prej 2.5 miliardë funtesh për ta shitur klubin londinez.

Ndryshe, Abramovich bleu Chelsean për vetëm 140 milionë funte apo 170 milionë euro në verën e vitit 2003 dhe nga ajo kohë e ktheu në një klub të madh evropian duke fituar çdo trofe të mundshëm.