Konjufca pas takimin me Cakajn: Kosova e Shqipëria kanë obligim të ndihmojnë njëra-tjetrën

Ministrat Konjufca dhe Cakaj, vlerësuan arritjet e deritashme, por njëherësh u dakorduan se ekziston nevoja për konkretizim të bashkëpunimit dypalësh, duke shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja – bashkërendimin e resurseve për lobim (për njohje të reja të Kosovës), dhe atë mbi shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian.

“Kosova e Shqipëria, më shumë sesa të shkëmbejnë falënderime, kanë obligim të ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të bëjnë gjithmonë më shumë në thellimin e raporteve vëllazërore”, tha ministri Konjufca, në konferencën e përbashkët për medie, pas takimit me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

“Raportet tona nuk mundemi t’i përshkruajmë thjesht me fjalët – raporte të ngushta, miqësore, institucionale ose thjeshtë të shkëlqyeshme – sepse janë raporte përtej të gjitha këtyre fjalëve – janë vëllazërorë”, tha ai.

Shefi i diplomacisë kosovare me këtë rast bëri të ditur se do të ketë koordinim maksimal për t’i diskutuar të gjitha përparësitë dhe ngecjet, në mbledhjen përbashkët të dy qeverive, të paralajmëruar të mbahet në Shkodër. “Dua të theksoj se raportet tona ekonomike dhe tregtare duhet të përmirësohen. Qëkur është vendosur tarifa ndaj mallrave të Serbisë, shkëmbimet sa i përket Shqipërisë në drejtim të Kosovës janë rritur mbi 300 për qind, mirëpo kjo nuk ka ndodhur me shkëmbimet që shkojnë prej Kosovës drejt Shqipërisë. Kjo duhet përmirësuar! Natyrisht, edhe vetë raportet tona duhet ta pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët”, tha Konjufca.

Ministri i Jashtëm theksoi po ashtu se kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria duhet të shfrytëzohet për rritjen e pranisë dhe avancimit të raporteve zyrtare të Kosovës me këtë mision, sepse sipas tij është e pakuptimtë që prezenca e Kosovës në OKB të jetë më substanciale sesa në OSBE. Ai vlerësoi iniciativën e homologut të tij në bashkimin e spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës dhe përfshirjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar në vijat e rregullta buxhetore.

Nga ana e tij, Ministri në Detyrë, Cakaj, i cili gjatë vizitës në Prishtinë takoi edhe krerët e tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, e siguroi homologun e tij, Konjufca, se Shqipëria do të vijojë angazhimin në mbështetje të shtetit të Kosovës në procesin e avancimit të njohjeve dhe anëtarësimeve në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për nxitjen e bashkëpunimit strategjik e gjithëpërfshirës në fushën e politikës së jashtme, me qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive dhe harmonizimin e objektivave strategjike të mbështetjes së Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.