Komuna e Tetovës do të prejë edhe 8 pemë të tjera

Pas ndërprerjes njëjavore të punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur” , kanë vazhduar punët për rekonstruimin e saj.

Edhe pse prerja e pemëve në këtë rrugë u bë mollë sherri mes këshilltarëve të listës “Më mirë për Tetovën” dhe drejtuesve të komunës, shefi i sektorit për veprimtari publike, thotë se punimet do të vazhdojnë sipas projektit, ndërsa do të priten dhe zëvendësohen edhe tetë pemët e mbetura në këtë rrugë.

Autoritetet komunale thonë se kanë tentuar që të zhvillojnë takim me grupin e këshilltarëve, por nuk kanë pranuar. Të kontaktuar nga Alsat, grupi i këshilltarëve “Më mirë për Tetovën”, janë shprehur se nesër do kenë takim në këshillin komunal, ku do të diskutohet prerja e druve.

Këshilltari Hamdi Sulejmani është shprehur se punimet mund të vazhdojnë por jo edhe prerja e pemëve.

“Ne insistuam si komunë të kemi takim, por nuk u zhvillua takimi. takim bëmë me vetë qytetarët dhe shitësit e lokaleve që insistuan të takohemi bashkë, mirëpo për fat të keq nuk u realizua. ne bashkë të premten u takuam me banorët e lagjes dhe ramë dakord se duhet të vazhdohet me punë sipas projektit në fuqi. Sipas projektit që e kemi ne dhe kërkesave të qytetarëve, parapamë vazhdimin e prerjes së druve, ku kanë mbetur edhe tetë pemë që do të priten dhe do largohen, dhe njëkohësisht kemi projekt për mbjelljen e fidanëve të reja”, tha Memet Jonuzi, shef i sektorit për veprimtari publike./ Alsat.mk