Kompania serbe zhvillon dron luftarak që lëshon raketa ajrore

Pamjet e publikuara së fundmi nga kompania serbe PR-DC zbulojnë konfigurimin e ri të dronit luftarak IKA-20-M, tashmë i pajisur me një lëshues të lehtë që mund të godasë me raketa ajrore.

Sipas të dhënave të bëra publike nga kompania, droni – i njohur edhe si IKA-ROCKET – është një multikopter i tipit heksakopter, i aftë të lëshojë deri në tre raketa 57 mm, përfshirë modele si S-5 apo BR-1-57.

Platforma është ndërtuar me materiale epokside të përforcuara me fibër karboni, çka i mundëson një kohë fluturimi mbi 30 minuta dhe një kapacitet mbajtës deri në 20 kilogramë. Kjo e vendos atë në kategorinë e dronëve të rëndë me përdorim luftarak.

Sipas kompanisë, sistemi mund të operojë plotësisht në mënyrë autonome, si gjatë ditës ashtu edhe natën. Ndërkohë, tubat e lëshimit janë prodhuar nga fibra qelqi dhe janë të përshtatur për përdorimin e raketave standarde ajrore pa modifikime shtesë.

Përveç raketave, droni mund të pajiset edhe me bomba ajrore të kalibrave të ndryshëm apo mekanizma për lëshimin e ngarkesave, duke rritur fleksibilitetin e tij operacional.

IKA-ROCKET është një platformë e madhe ajrore, me përmasa rreth 2.5 metra në gjatësi dhe gjerësi, ndërsa rrezja e veprimit arrin deri në 30 kilometra dhe lartësia operative deri në 500 metra.