Oferta e përbashkët e kompanisë hungareze “Elektrobus – Ikarus” dhe asaj austriake EVN është e vetmja që i ka përmbushur kushtet për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë ekologjikë dhe 75 stacioneve për karikimin e tyre, njoftoi sot Ministria e Transportit. Në thirrjen publike kanë marrë pjesë gjithsej katër operatorë ekonomikë, ndërsa komisioni profesional, pas vlerësimit të bërë, ka konstatuar se tre prej tyre nuk i kanë përmbushur kushtet e thirrjes publike.
“Elektrobus – Ikarus” dhe austriakja EVN i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parapara në prokurimin publik për 150 autobusë të rinj elektrikë dhe 75 stacione karikimi dhe njëkohësisht kanë ofruar çmimin më të ulët prej 19.350.000 denarë, ose rreth 314.000 euro për autobus, që është një çmim jashtëzakonisht konkurrues në tregun e autobusëve elektrikë. Sipas vendimit, kompania “Ikarus” duhet të furnizojë autobusët elektrikë, ndërsa kompania “EVN” stacionet e karikimit. Sipas karakteristikave teknike, ndër të tjera, autobusët elektrikë duhet të kenë fuqi maksimale të paktën 300 kW, kapacitet prej të paktën 66 pasagjerësh dhe sistem automatik të rregullimit të klimës për ftohje/ngrohje. Operatori ekonomik i përzgjedhur ka detyrimin të kryejë mirëmbajtje të vazhdueshme dhe riparimin e të gjitha defekteve teknike të paraqitura, si dhe të sigurojë pjesë rezervë për 10 vitet e ardhshme nga dita e vënies në përdorim të automjeteve. Autobusët duhet të jenë të miratuar në përputhje me Direktivën Evropiane 2018/858”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Nga atje informojnë gjithashtu se pas lidhjes së kontratës, ofertuesi më i favorshëm është i detyruar të bëjë furnizimin e autobusëve dhe stacioneve të karikimit sipas këtij afati: 30 autobusë elektrikë dhe 15 stacione karikimi brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj nga dita e nënshkrimit të kontratës, 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda një periudhe jo më të gjatë se 12 muaj, si dhe 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda një periudhe jo më të gjatë se 18 muaj nga dita e nënshkrimit të kontratës.
Pas marrjes së vendimit për përzgjedhje, është caktuar një afat ankese prej 10 ditësh.



