Komisioni i Venecias: Të definohet qartë përdorimi i shqipes

Implikimet e mëdha financiare, koha e shkurtër për zbatim dhe mungesa e kuadrit të nevojshëm të gjuhëtarëve janë kritikat kryesore të Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në raportin zyrtar të publikuar një ditë më parë Komisioni kritikon sjelljen e ligjit pa debat, pa konsensus dhe me procedurë të shkurtuar. Kategorizimin në ligj të gjuhës shqipe si “gjuhë të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve” komisioni e konsideron si definicion abstrakt që shkakton paqartësi në zbatim. Duhet të bëhet e qartë për të gjithë se cilat dispozita të ligjit aplikohen vetëm për shqipen dhe cilat po ashtu aplikohen për gjuhët e komuniteteve të tjera.

Komisioni i Venecias

Ndonjëherë është vështirë të kuptohet se në cilat dispozita ligji i referohet vetëm shqipes dhe në cilat u referohet gjuhëve të komuniteteve të tjera.
Ligji duhet të rishikohet më qëllim që të bëhet e qartë se qytetarët kanë të drejtë dhe jo obligim për të përdorur gjuhët e komuniteteve.

Edhe nëse shteti siguron burime të mjaftueshme financiare, thekson Komisioni i Venecias, institucionet do të duhet të angazhojnë një numër të konsiderueshëm të interpretuesve dhe përkthyesve të kualifikimit të lartë në maqedonisht dhe në shqip, gjë të cilën Maqedonia e Veriut duket se nuk e ka. Përgatitja e kuadrit të nevojshëm për zbatimin e plotë të ligjit duhet të fillojë me reformimin e sistemit arsimor, rekomandon Komisioni i Venecias.

Komisioni i Venecias

“Është po ashtu e rëndësishme që autoritetet të reformojnë sistemin arsimor në mënyrë që të sigurojnë edukim gjuhësor të cilësisë së lartë të maqedonishtes dhe gjuhës së pakicës, nëpërmjet prezantimit të metodave mësimore dy dhe shumë gjuhësorë në të gjitha shkollat – siç ka rekomanduar së fundmi Komiteti i ministrave – dhe t’i jepet fund ndarjes në linja etnike në shkolla”.

Nenin që rregullon zbatimin e dygjuhësisë në bankënota, monedha dhe pulla, Komisioni nuk e konsideron si të paprecedentë dhe thekson disa shembuj në rajon, BE dhe jashtë unionit. Nuk ka përplasje mes këtij neni dhe konventave ndërkombëtare.

Komisioni i Venecias

Gjithsesi, aplikimi i dispozitave mund të përfshijë disa probleme në praktikë meqë, veçanërisht në monedha dhe pulla, ka hapësirë të limituar. Është e rrallë të gjeshë më shumë se një gjuhë në to.

Maqedonia e Veriut, sipas Komisionit të Venecias, me siguri do të ketë nevojë për disa vite për zbatimin e plotë të ligjit. Zbatimi i tij në gjyqësor shkon përtej standardeve evropiane dhe nuk ka bazë eksplicite kushtetuese prandaj rekomandohet shfuqizimi i tërësishëm i dispozitave për dygjuhësi në gjyqësor. Më tej, Komisioni rekomandon; ose rishikimin e Nenit 3 të ligjit, duke limituar fushën e komunikimit të shkruar zyrtar, ose shtyrjen e hyrjes në fuqi deri sa zbatimi i duhur i këtyre dispozitave të jetë real. Amendamentet për ligjin duhet të bëhen në konsultime të ngushta me institucionet dhe përfaqësuesit e komuniteteve./Alsat