Lidhja Shqiptare kërkoi nga Qeveria e RMV-së që Qendra Klinike të jetë prioritet strategjik me koncensus kombëtar

Partia opozitare shqiptare, Lidhja Shqiptare (LSH), e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar në lidhje me propozimin e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski rreth Qendrës së re Klinike në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia nuk ka më kohë për projekte në letër. Qendra e re Klinike duhet të jetë prioritet kombëtar dhe projekt strategjik, i realizuar me konsensus dhe në interes të qytetarëve”, deklaruan nga Lidhja për Shqiptarët.

Ata kërkojnë nga Qeveria trajtim më serioz rreth pacientëve dhe mjekëve, ndërkohë vlerësuan që debati rreth Qendrës duhet të jetë profesional dhe publik.

“Prej më shumë se dy dekadash flitet për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup. Gjatë kësaj kohe janë shpenzuar mbi 10 milionë euro për studime, projekte, analiza, ekipe projektuese dhe honorare, ndërsa pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2018 shteti u përball edhe me arbitrazhe ndërkombëtare, me kërkesa që arrijnë deri në 45,5 milionë euro për projektet në Shkup dhe Shtip, pa përfshirë shpenzimet për avokatë, ekspertiza dhe procedura gjyqësore”, reaguan nga Lidhja Shqiptare.

Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.

Së fundmi, kryeministri Hristijan Mickoski ka premtuar se Qendra Klinike do të ndërtohet në hapësirën afër Sallës së Sportit “Boris Trajkovski”.

Planifikojmë që Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” në Shkup ta bëjmë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga kryeqyteti, por edhe nga Kumanova dhe Velesi, kishte deklaruar në vitin 2025-të drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski.