Komisioni Evropian nis t’i paguajë Ukrainës miliarda euro për dronë

Komisioni Evropian ka filluar transferimin e 3.9 miliardë eurove për Ukrainën në kuadër të një marrëveshjeje kredie, me qëllim financimin e blerjes së dronëve dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes së vendit.

Fondet janë pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kievin në luftën kundër agresionit rus.

Sipas Komisionit Evropian, këto mjete do të përdoren për prodhimin dhe furnizimin me dronë, të cilët janë bërë një nga elementët më të rëndësishëm të luftës moderne në frontin ukrainas, shkruan reuters.

Financimi synon gjithashtu të rrisë kapacitetet e industrisë vendase të mbrojtjes dhe të përshpejtojë zhvillimin e teknologjive të reja ushtarake.

Paketa prej 3.9 miliardë eurosh jepet në formën e një kredie dhe është pjesë e mekanizmave të BE-së për mbështetjen financiare dhe ushtarake të Ukrainës.

Komisioni theksoi se investimi në dronë është bërë prioritet, pasi këto mjete kanë dëshmuar një rol vendimtar në operacionet mbrojtëse dhe sulmuese gjatë luftës.

BE-ja ka përsëritur se do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke kombinuar ndihmën financiare, ushtarake dhe humanitare për të forcuar aftësinë e saj mbrojtëse.