Kombi shqiptar para një rikonfigurimi të ri global

Procesi i shpopullimit të vendeve tona ka krijuar një hartë të re globale të diperzimit etnik, ku tani kemi shumë shumë Shqipëri të shpërndara në çdo cep të botës dhe ky paraqet një moment të ri për të gjithë ata individë, subjekte e intitucione që në një farë mënyre  merren me studimin dhe  menaxhimin e botës shqiptare, në tërësinë e saj, por tani në një kontekt më të gjerë global.

Shkruan: Skender Asani

Në kohën kur bota po globalizohet, shqiptarët si komb po përjetojnë brenda vetes disa procese të pafavorshme që mund të kërcënojnë të ardhmen e tyre. Parasegjithash këto procese kanë të bëjnë me faktorët politik, ekonomik dhe demografik. Në vitet nëntëdhjeta, deri në fillimet e mileniumit të ri, ishim të mobilizuar si komb rreth pavarësimit të Kosovës, demokratizimit të Shqipërisë dhe luftës politike për barazi nacionale në Maqedoni dhe në viset tjera shqiptare

Dhe i gjithë ky mobilizim, falë edhe mbështetjes euro-atlantike, ua mundësoi shqiptarëve, që pas sakrificave shekullore, të fitojnë shtetin e dytë në Ballkan – Kosovën e pavarur, Shqipëria u anëtarësua në NATO, kurse në Maqedoni u arritën disa objektia politike të shqiptarëve, sidomos pas luftës së 2001-shit, për një barazi nacionale që nuk e kishin pasur më parë.Pikërisht kur të gjitha këto zhvillime pozitive ndodhën, u krijua në anën tjetër një situatë kontradiktore e cila prodhoi elita politike që nuk ishin të gatshme t’i përmbyllin proceset e tranzicionoit.

Akomodimi i gjatë në pushtet krijoi parakushte për kalbëzimin nga brenda të sistemit i cili filloi të bëhet gjithnjë e më tepër imun ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit dhe prishjes së baraspeshave sociale në mes të shtresave shoqërore. Për pasojë, shtresa e mesme u eliminua gati tërësisht, dhe u krijua një inxhinjering i dhunshëm social-ekonomik si rrjedhojë e shpërndarjes së resurseve financiare e materiale, jo sipas  meritave dhe aftësive profesionale e menaxheriale, por sipas një akrballaku politik që ndryshe mund të quhet edhe oligarki. Në fakt gjatë gjithë procesit të tranzicionit të stërzgjatur në hapësirën shqiptare, nuk patëm trende normale transformuese politike, që për bazë do të kishin demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, por patëm zëvendësimin e oligarkive politike-ekonomkie, kalimin e tyre nga njëri taborr politik te tjetri dhe ngadalësimin frymarrjes së lirë shoqërore.

Në rrethana të tilla, në vend të elitave të mirëfillta politike, me bagazhe profesionale e intelektuale, u krijuan elita të korruptuara, lehtë të shantazhueshme dhe të gatshme për çfarëdo lloj koncesioni. Kjo pastaj u reflektua negativisht në disa aspekte të shtetndërtimit dhe të zhvillimit, ku spikat prishja e klimës së biznesit dhe investimeve, funksionimi me shumë defekte i sistemit të drejtësisë dhe krijimi i monopoleve biznesore përmes lidhjeve korruptive me pushtetin, ku ngelën të përjashtuar mijëra njerëz (edhe nga diapora) të cilët refuzuan të japin ryshefte për të nisur biznese.

E gjithë kjo ndodhi para syve tanë, para pafuqisë sonë për të parandaluar këtë degradim, ndërkohë që vendet tona iu ekpozuan një kërcënimi shumë sfidues, siç është shpopullimi dhe shpërndarja e njerëzve tanë nëpër botë. Sipas një hulumtimi të realizuar tash së fundi, rezulton që 30 për qind e shqiptarëve të lindur në Shqipëri jetojnë në emigracion. Shifra është publikuar nga revista Forbes, që ka renditur vendet me numrin më të madh të diasporës në raport me popullsinë totale të vendit.

Forbes ka analizuar vendet me popullsi mbi 750 mijë banorë. Në këtë listë, Shqipëria renditet e treta, me 30.7 për qind të popullsisë së lindur brenda kufijve, që aktualisht jetojnë jashtë. Me rreth 1.2 milionë emigrantë, Shqipëria lë pas në këtë renditje vende si Siria, Moldavia, Armenia dhe Xhamajka.

Nga rajoni vetëm Bosnja është me diasporë më të madhe se Shqipëria, me 34 për qind të popullsisë së saj, ndërkohë që Ballkanit tashmë karakterizohen nga një përbërje e moshave të pafavorshme dhe popullsi në plakje. Numri mesatar i të rinjve deri në 14 vjeç në vendet e Ballkanit është rreth 16 për qind, ndërsa numri mesatar i popullsisë mbi 60 vjeç është gati 25 për qind. Përjashtim nga këto trende bën Kosova, e cila ka 7 për qind më shumë të rinj, kryesisht falë faktit që është shteti që ka një prej niveleve më të larta të lindjeve në Ballkan dhe Evropë dhe një norme relativisht të lartë të ndryshimeve pozitive natyrore, edhe pse edhe në këtë shtet ky faktor ka pasur rënie në vitet e fundit.. Projeksionet e OKB-së për strukturën e moshës në vitin 2050, konfirmojnë vazhdimin e tendencave të përmendura dhe rritjen e intensitetit të plakjes në vendet e Ballkanit.

OKB parashikon se shpopullimi i plotë (ulja e numrit të banorëve) ka qenë tipar dominues i kësaj zone për disa dekada, dhe sipas variantit të mesëm të vlerësimit të Kombeve të Bashkuara, shtetet ballkanike të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë presin një humbje prej 2.8 miliona persona nga mesi i shekullit, ndërsa zona e gjerë e Ballkanit  do të përballet me një rënie të popullsisë prej 8.2 milionë në vetëm 30 vjet. Kur popullsitë e vogla si ato kryesisht në Ballkan, arrijnë një nivel të dukshëm shpopullimi, duhet pritur që të gjitha proceset e mëpasshme të jenë më të shpejta, që reflektojnë negativisht në zhvillimin hapësinor të mjediseve rajonale dhe lokale në kontekstin e zhdukjes së vendbanimeve më të vogla dhe zbrazjes së hapësirës, reduktimit të potencialit të pjellorisë (biologjik) dhe ekonomik (punës), plakja e kontingjenteve të pjesshme etj, gjë që redukton ndjeshëm perspektivat për rimëkëmbjen demografike nga popullsia rezidente.

Rënia e numrit, plakja dhe mungesa e fuqisë punëtore janë vetëm një nga sfidat bashkëkohore demografike me të cilat përballen të gjitha vendet evropiane pavarësisht nga niveli i zhvillimit të tyre. Vazhdimësia e këtyre proceseve dhe indiferenca politike reduktojnë ndjeshëm shanset e mbijetesës demografike të kësaj zone dhe kjo vlen për çdo vend ballkanik pavarësisht nga perceptimi gjeografik e politik.

Në këtë kontekst turbulencash demogtrafike, hapësira shqiptare në Ballkan jo vetëm që nuk mund të jetë imune ndaj pasojave që jell shpopullimi, por ajo do të përballet me probleme të tjera, ndoshta edhe më të rënda, nëse bota shqiptare nuk arrin të konfigurohet ndryshe nga ajo që është tani. Sepse, siç po e shohim Kosova nuk po mundet dhe e ka shumë vështirë ta përmbyllë procesin e shtetformimit, shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të kategorizojnë se cilat janë kërkesat e tyre minimale dhe cilat maksimale, kurse Shqipëria ka probleme me të kaluarën nga e cila nuk po mund të shkëputet. Atje nuk po përfundon tranzicioni,  përplasja shoqërore vazhdon të prodhojë jostabilitet politik dhe kjo po ndikon që të  ngulfatet perspektiva e Shqipërisë.Procesi i shpopullimit të vendeve tona ka krijuar një hartë të re globale të diperzimit etnik, ku tani kemi shumë shumë Shqipëri të shpërndara në çdo cep të botës dhe ky paraqet një moment të ri për të gjithë ata individë, subjekte e intitucione që në një farë mënyre merren me studimin dhe  menaxhimin e botës shqiptare, në tërësinë e saj, por tani në një kontekt më të gjerë global.

Konsideroj se edhe kjo Konferencë shkencore që po mbahet sot, do të duhej t’i ketë parasysh disa fakte që e bëjnë botën shqiptare sot të ndodhet në një udhëkryq, kuptohet, nëse nuk ndërmerren disa veprime për ta orientuar atë drejt, siç kanë bërë para nesh kombet tjera. Parasegjithash duhet të vendoset një lidhje shumë aktive dhe përmbajtësore në mes të    mes të shqiptarëve dhe vendlindjeve të tyre. Ky është parakushti i parë i formatimit të botës shqiptare sipas një planimetrie të re globale, ku njerëzit tanë nuk do t’i përjetonin pasojat e asimilimit dhe të shkëputjeve të lidhjeve në mes veti.

Prandaj nevoitet krijimi i një plani që do ta bënte lidhjen e botës shqiptare me vendlindjen përmes projekteve të caktuara kulturore, arsimore, ekonomike e teknologjike.
Departamenti i Mërgatës që është në themelim e sipër në ITSHKSH është një shembull i institucionalizimit të kësaj lidhjeje, sepse pa një intitucionalizim të mirëfillt të interaksionit tonë si komb e kemi vështirë të përballemi me sfidat që sjell globalizmi dhe deatomizimi i familjeve tona.

Tkurrja e popullsisë si pasojë e migrimeve, dobëson fuqinë demografike, politike e ekonomike në vendlindje, por në anën tjetër hap edhe disa dritare prej nga mund të depërtojnë rrezet e shpresës. Prandaj duhet rishikuar mundësitë dhe shanset që kemi si botë shqiptare, duke zhvilluar një këmbim të brendshëm të përvojave, dijeve, vlerave e resurseve ekzistuese. Me fjalë të tjera, duhet të hulumtojmë hartën e nevojave tona si komb, duke plotësuar ato boshllëqe që mund të bëhen pengesë e zhvillimit tonë si komb.

Kështu, bie fjala, vendlindja ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe për dispilinë të re menaxhuese, aspekte këto që i ka mërgata jonë, ndërkohë që mërgata ka nevojë për ruajtjen e identitetit kombëtar, aspekte këto që i posedon vendlindja,  por që duhet të bëhen pjesë e një plani bashkëpunimi afatgjatë, ku  secili pjesëtar i botës shqiptare nuk do ta ndiente mungesën e një prej faktorëve që ndikon më së shumti në stagnimin e tyre.

Por që të ndodhë kjo, bota shqiptare duhet të huazojë disa prej modeleve më të avancuara të kombeve të tjera, të cilat mund të sjellin një qasje pozitive ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi. Lidhja e fëmijëve të mërgatë me vendlindjen, mund të jetë ky projekti më madhor i botës shqiptare, që për model mund të merret projekti izralit ku fëmijët nga diaspora dërgohen në vendlindje dhe qëndrojnë atje  2 – 3 javë.

Në anën tjetër mosorganizimi ose organizimi stihik në mërgatë, ku dimensioni fetar  dominion mbi atë arsimor e kulturor, mund  të sjell zbehje të identitetit kombëtar të gjeneratave të reja, që mund të jet edhe si pasojë e humbjes së linkut me vendlindjen.

Shtetet në të cilat jetojnë njerëzit tanë në mërgatë, kanë sistemet e tyre politike, arimore e ekonomike dhe nuk mund të bëjmë asgjë që këto sisteme të ndryshojnë, por e pakta që mund të bëjmë është që ne si botë shqiptare të krijojmë një sistem të brendshëm organizimi i cili do të funksiononte mbi parimet “çka të mungon ty – ta jap unë” dhe “çka më mungon mua – ma jep ti”.

Nëse një kuadër i shkolluar në Perendim ka treguar rezultatet të kënaqshme në kompaninë apo intitucionin ku ai punon dhe të tillë ka pot në Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Itali, Skandinavi, Amerikë, Kanada etj. atëherë prej kuadrove të tilla duhet të marrin mësim shkollat dhe univeritetet tona në vendlindje, duke krijuar kështu shprehi të reja për punë dhe mendësi të reja për t’iu qasur problemeve.

Marrja e përvojave të reja nga mërgata dhe transferimi i tyre në vendlindje, do ta bënte botën shqiptare më rezistuese ndaj tendencave negative që po shfaqen si pasojë e ikjes së trurit nga vendlindja.
Ushqimi i institucioneve të trashëgimisë shpirtërore me materiale nga terreni, ku edhe mërgata duhet të ofrojë të dhënat e veta, e avanson botën shqiptare në nivelet e një horizonti ku mund të duken të gjitha vlerat që i posedojmë si komb, por edhe vlerat e kombeve të tjera me të cilët ne bashkëpunojmë.

Në anën tjetër, vendlidja nuk duhet t’i shërbejë mërgatës vetëm si hapësirë ku mund të bëhen dasmat, por edhe si mundësi investimi e zhvillimi. Por që të arrihet kjo, shtetet tona duhet të forcojnë sundimin e ligjit dhe garantimin e investimeve. Siguria ligjore, konkurrenca e lirë pa pasur nevojë për lidhje korruptive me politikën si dhe dhënia përparësi e kuadrove të shkolluar nga diaspora – janë elemenet kyç të zhvillimit dhe përparimit të botës shqiptare, duke mos harruar edhe nevojën që ka diaspora për librin shqip, për përrallat dhe këngët shqipe, për programe kulturore-edukative dhe për një lidhje shpirtërore në mes të  fëmijëve tanë që nesër mund të jenë motor të zhvillimit tonë si komb.

Shkup, nëntor 2022

(Kumtesë e paraqitur në Konferencën shkencore të Lidhjes Shqiptare në Botë –
“Sfidat e botës shqiptare në mileniumin e ri” )