Kokaina në Krushopek ka qenë kurth për kapot e drogës

Mediat në rajon raportojnë për aksionin masiv policor, me të cilin u sekuestruan 1.2 ton kokainë, nga e cila një pjesë do të përfundonte në tregun e zi të vendit tonë. “Nezavisne Novine”, e Bosnjës shkruan se bëhet fjalë për një zinxhir të organizuar, të zbuluar nga policia italiane. Sipas burimeve të tyre, pasi hetuesit e zbuluan drogën në një port italian, ata kanë sekuestruar 970 pako me peshë 1128 kg, dhe dërgesa sërish e vulosur ka vazhduar drejt portit të Barit, në Mal të Zi. Policia në kontejnerë la vetëm një pako kokainë, me peshë një kilogram. Ata kanë instaluar sistem gjurmimi, për të parë se ku duhet të përfundojë ajo sasi e madhe e drogës.

Nezavisne Novine

“Nezavisne Novine” mëson se për dërgesën në Bari mbërritën gjashtë kamionë, katër prej të cilëve mbërritën nga Maqedonia. Ata arritën në kontejnerë të vulosur, pa dijeni që policia po i ndiqte, dhe në vend të lëndëve narkotike, me to ka mbërritur vetëm një kilogram kokainë e lënë nga hetuesit. Dy kamionët e tjerë janë nisur për në Bosnjë-Hercegovinë, pa dijeni se po transportonin kontejnerë boshe dhe se i monitoronte policia. “

Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes së Bosnjës, raportoi se dy persona u arrestuan gjatë aksionit ndërkombëtar. Në vendin tonë, operacionin e policisë së Maqedonisë, në Facebook e njoftoi Ministri i Brendshëm Naqe Çulev. Pikërisht për këtë mënyrë të zbulimit të detajeve të operacionit policor, arriti reagim nga autoritetet italiane. Ata e kanë paralajmëruar ministrin se ai kishte publikuar informacione përmes Facebookut, thotë zëvendësministrja shtesë e Brendshme, Sllavjanka Petrovska, në një intervistë për emisionin “360 Gradë”.

Me publikimin e informacioneve dhe njoftimin se bëhet fjalë për një aksion të madh nga ana e Ministrit Çulev, janë informuar edhe struktura që nuk duhet të informohen në atë moment, se po zhvillohet aksion i madh në vendin tonë. Së fundmi, pasi aksioni është zbuluar, nuk është arritur efekti i dëshiruar, saktësisht atë që autoritetet italiane kishin pritur të ndodhte- deklaroi Sllavjanka Petrovska, Zëvendës Ministre shtesë e Brendshme.

Më 19 shkurt, Ministri Çulev njoftoi se në fshatin Krushopek po kryhet bastisje për tregti ilegale me drogë. Ndër të tjera, theksoi se me emërimin e tij në krye të policisë, kishte kaluar koha kur kryesia e lartë e Ministrisë së Brendshme mbështeste strukturat kriminale në vend. Policia në fshatin Krushopek te kompania Banteks ka sekuestruar një kilogram kokainë të vendosur mes bananeve. Prokuroria ka urdhëruar hetim kundër dy personave dhe ka kërkuar paraburgim për pronarin e kompanisë Banteks, importues të bananeve./Alsat