Koeman: Nuk mendoj se Barcelona është më e fortë se rivalët, lufta për titull do të jetë deri në ndeshjen e fundit

Ronald Koeman e pranoi sinqerisht se nuk mendon se Barcelona është skuadra më e fortë në garën për titull të La Liga këtë sezon, pasi sipas tij edhe ekipet tjera janë të forta dhe do të luftojnë deri në fund për trofeun.

Katalunasit morën një fitore 5-2 ndaj Getafes të mërkurën mbrëma, duke u ngjitur në pozitën e dytë dhe duke i qëndruar hije liderit, Atletico Madrid.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj forme të mirë që po kalon ekipi, trajneri Koeman beson se nuk janë më të mirë se rivalët në garën për titull.

“Unë mendoj se është një rezultat i mirë, ekipi ishte i mirë. Veçanërisht në pjesën e parë ne ishim të përqendruar dhe kishim raste. Jam i lumtur me ato minuta”, ka thënë fillimisht Koeman pas ndeshjes.

“Ishte një gol i shkëlqyeshëm nga Leo pas një pasimi të mirë nga Busquets. Në pjesën e dytë, në gjysmë të rrugës, ne ngadalësuam pak dhe gjërat u ndërlikuan pa nevojë në 3-2. Ne ngadalësuam, dhe kjo është diçka që duhet ta mësojmë [si të luftojmë]”.

“Nuk mendoj se ne jemi më të fortë se tre ekipet e tjera [Real Madrid, Atletico dhe Sevilla]”.

“Edhe ata po fitojnë ndeshje dhe të gjithëve na mbeten ndeshje të vështira. Lufta do të jetë deri në ditën e fundit”, përfundoi trajneri i Barcelonës.