Heqja e karantinës për të kthyerit nga Greqia e RMV, Presidenti Meta mbështet Avokaten e Popullit

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta bën me dije përmes një statusi në rrjetet sociale se mbështet rekomandimet e Avokatit të Popullit për heqjen e karantinës për personat që kthehen në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Sipas kreut të shtetit shqiptar, Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve të anulojnë këtë vendimmarrje dhe të krijojnë kushtet që shqiptarët që kthehen nga këto vende të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet e së dielës.

“Mbështes plotësisht gjetjet, vlerësimet dhe Rekomandimet e Avokatit të Popullit, për anulimin e menjëhershëm të Urdhrit nr. 219, datë 19.4.2021, të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe institucionet përgjegjëse shtetërore, përfshirë dhe pikat kufitare, jo vetëm duhet të anulojnë çdo vendimmarrje, që rëndon pozitën e shtetasve shqiptarë në mënyrë jo proporcionale, por kanë përgjegjësinë të hulumtojnë dhe të marrin vendime që njëkohësisht me garantimin e sigurisë shëndetësore, të respektojnë edhe të drejtat dhe liritë themelore, siç është e drejta për të zgjedhur.

Është për të ardhur keq që emigrantëve në kufi, që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, u është kërkuar nënshkrimi i një formulari me detyrim, për vetëkarantinimin 14-ditor”, shkruan presidenti.